Skandal në Rusi: Ministri i Mbrojtjes përdor avionë ushtarak për të dashurën sekrete

Një skandal i bujshëm me përmasa politike dhe morale ka shpërthyer në zemër të Kremlinit, pasi një zyrtar i lartë rus, i afërt me presidentin Vladimir Putin, dyshohet se ka përdorur avionë ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes për qëllime personale – konkretisht, për të transportuar të dashurën e tij të re nëpër Rusi.
Në qendër të zhurmës ndodhet Maria Shalaeva, 23 vjeç, e cila përmes postimeve në rrjetet sociale zbuloi se kishte fluturuar me një avion ushtarak të tipit Illyushin-76 për një fundjavë në Rostov mbi Don – qyteti ku ndodhet një nga komandat kryesore ushtarake ruse.
Pavarësisht se më pas i fshiu postimet, ajo kishte ndarë detaje që implikojnë rëndë një figurë të lartë qeveritare. Mediat e pavarura kanë aluduar se personi në fjalë është ministri aktual i Mbrojtjes, Andrei Belousov, 66 vjeç, një ish-burokrat i Kremlinit i emëruar rishtazi në këtë post. Shalaeva e përshkruan të dashurin si “një njeri të Kremlinit” dhe si person “me besueshmëri 200%”.
Në një nga videot që ajo publikoi, shfaqet një burrë me flokë gri, një detaj që përputhet me pamjen fizike të Belousovit, duke ushqyer më tej dyshimet. Sidoqoftë, disa burime kanë spekuluar se burri në fjalë mund të jetë më i ri në moshë, duke lënë të hapur identitetin e vërtetë të “sugar daddy-t” misterioz të Kremlinit.
Shalaeva pohoi se në këtë udhëtim kishte marrë edhe djalin e saj trevjeçar, Tim, për të cilin aludohet se mund të jetë fëmija i zyrtarit të lartë. Ajo madje shtoi me krenari se “Tim u ul në kabinën e pilotit dhe mori patatina nga piloti”.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar zemërim të madh, sidomos për faktin se aeroporti i Rostovit është i mbyllur për fluturimet civile – çka do të thotë se e vetmja mënyrë për të udhëtuar atje është përmes mjeteve ushtarake.
“Po fluturojnë, por jo për të gjithë,” shkruante ajo në një prej postimeve. “Gjithsesi, u ktheva sërish në Rostov. Nuk po e le dot pas.”
Burime ushtarake konfirmuan se pas postimeve të Shalaevës, shërbimet sekrete vizituan vendin e punës së zyrtarit në fjalë për të hetuar një shkelje të mundshme të sigurisë kombëtare dhe abuzim me detyrën.
Nëse lidhja konfirmohet dhe përdorimi i avionëve ushtarakë për qëllime personale vërtetohet, përballja me pasoja ligjore dhe politike për zyrtarin e përfshirë pritet të jetë e ashpër. Për momentin, Kremlini nuk ka bërë asnjë koment zyrtar mbi skandalin.


