Shpërthen përsëri dhuna në Siri, 147 të vdekur!

Dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur në rajonin bregdetar të Latakias kanë rikthyer vëmendjen te Siria e presidentit të ri, Ahmed al-Sharaa, lideri i Hayat Tahrir al-Sham, i cili në dhjetorin e kaluar rrëzoi regjimin pesëdhjetëvjeçar të Assadëve.
Këto ngjarje tregojnë se Siria mbetet ende një fuçi baruti, shkruan La Repubblica.
Sipas burimeve lokale dhe Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Londër, të paktën 70 persona janë vrarë në përplasjet mes forcave qeveritare dhe milicive të lidhura me regjimin e vjetër, që kanë shpërthyer në Latakia, Tartus dhe periferinë e Homsit. Raportet më të fundit flasin për një numër më të lartë viktimash, deri në 147 të vdekur, por këto të dhëna ende duhet të verifikohen. Imazhet që qarkullojnë tregojnë dhjetëra trupa të pajetë në rrugë.
Është e qartë se dhuna ka shpërthyer në një rajon që njihet si bastioni i mbështetësve të regjimit të vjetër dhe ku prania e minoritetit alavit është e konsiderueshme.
Situata u përkeqësua të enjten kur në qytetin bregdetar Jabaleh dhe fshatrat përreth, patrullat qeveritare u sulmuan nga milicë lokalë që, sipas autoriteteve të Damaskut, janë mbështetës të Assadit. “Ishin prita të mirëplanifikuara dhe të paramenduara kundër pozicioneve dhe pikave tona të kontrollit nga grupe të ndryshme assadistësh”, tha Mustafa Kneifati, një oficer i forcave të sigurisë në Latakia.
Sipas Observatorit Sirian, në këto përleshje të para humbën jetën 48 persona (16 ushtarë të qeverisë, 28 mbështetës të Assadit dhe 4 civilë). Këto u cilësuan si “sulmi më i dhunshëm ndaj qeverisë së re që nga rënia e regjimit”.


