Shkatërrohet "perandoria" shqiptare e drogës në Itali, 12 të arrestuar

Bota

Shkatërrohet "perandoria" shqiptare e drogës në Itali,

Një operacion i madh anti-drogë në Itali ka çuar në shkatërrimin e një organizate kriminale shqiptare që merrej me trafikimin e kokainës, marijuanës dhe heroinës. Policia italiane arrestoi 12 persona dhe sekuestroi mbi 423 kilogramë lëndë narkotike.

Hetimi, i cili nisi në janar të vitit 2024 dhe u drejtua nga Prokuroria Antimafia e L’Aquila-s, zbuloi se grupi vepronte kryesisht në rajonin Abruzzo, me qendra në Montesilvano dhe Città Sant’Angelo. Organizata kishte gjithashtu degë në Lombardi (Milano, Brescia, Varese) dhe në Shqipëri.

Grupi ishte i përfshirë në të gjitha fazat e aktivitetit të paligjshëm, nga blerja e drogës, te kultivimi dhe shpërndarja në tregun e zi. Kokaina importohej nga Lombardia përmes furgonëve me qira, ndërsa marijuanë e llojit “amnezi” kultivohej në një depo në Piadena Drizzona, e përshtatur për rritjen e bimëve narkotike.

Hetimet treguan se anëtarët e grupit përdornin komunikime të koduara dhe gjeste për të shmangur përgjimet policore, duke treguar njohuri për metodat e hetimit.

Operacioni nisi pas analizës së një rasti të mëparshëm, “Kirivò”, që kishte zbuluar një tjetër shoqatë kriminale në lagjen Rancitelli të Pescara-s. Ky informacion ndihmoi autoritetet të zgjerojnë hetimet dhe të identifikojnë lidhje mes grupeve kriminale.

Gjatë aksionit, u sekuestruan 421 kilogramë marijuanë dhe 2 kilogramë kokainë, çka dëshmon për përmasat e aktivitetit të grupit. 

ME TE LEXUARAT