Shiste vizat Shengen për mijëra euro/ Arrestohet ish-ambasadori italian për skemë të paligjshme

Policia italiane ka arrestuar ish-ambasadorin e Italsë në Uzbekistan, Piergabriele Papadia de Bottini di Sant’Agnese, i akuzuar për drejtimin e një skeme të paligjshme të vizave Schengen Area nga ambasada italiane në Tashkent.
Nën hetim është vendosur edhe bashkëpunëtorja e tij, Tatiana Tarakanova.
Sipas prokurorëve të Romës, dyshja akuzohet për lehtësim të emigracionit të paligjshëm dhe korrupsion të lidhur me shpërdorimin e detyrës.
Hetimet zbuluan se ata kishin ngritur një skemë për lëshimin e vizave turistike afatgjata për shtetas nga Rusia që nuk plotësonin kriteret për hyrje në zonën Shengen.
Përfituesit paguanin nga 4 mijë deri në 16 mijë euro për një vizë, ndërsa tarifa zyrtare varionte nga 45 deri në 60 euro.
Sipas dosjes hetimore, aplikimet dërgoheshin edhe përmes Telegram dhe përpunoheshin jashtë procedurave zyrtare.
Autoritetet italiane po hetojnë rreth 400 dosje vizash dhe po verifikojnë pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro të lidhura me ish-diplomatin.


