SHBA ndryshon rekomandimet e vaksinimit për fëmijët

Bota

SHBA ndryshon rekomandimet e vaksinimit për fëmijët

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë këtë të hënë një hap duke ulur numrin e vaksinave që rekomandohen për çdo fëmijë, një vendim që u jep familjeve më shumë liri për të zgjedhur vaksinime të caktuara, si ajo kundër gripit, por pa ofruar udhëzime të qarta alternative.

Zyrtarët amerikanë thanë se ndryshimi në orarin federal të vaksinimit nuk do të ndikojë në aksesin apo mbulimin nga sigurimet shëndetësore për asnjë familje. Megjithatë, ekspertët mjekësorë kanë reaguar ashpër, duke paralajmëruar se kjo lëvizje mund të çojë në rënie të niveleve të vaksinimit dhe në rritje të sëmundjeve të parandalueshme.

Vendimi vjen pas kërkesës së Presidentit Donald Trump, i cili në dhjetor i kërkoi Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) të rishikonte rekomandimet për vaksinat dhe t’i krahasonte ato me praktikat e vendeve homologe. Sipas HHS, analiza e 20 vendeve të tjera tregoi se SHBA-të dallonin si për numrin e vaksinave, ashtu edhe për numrin e dozave të rekomanduara për fëmijët.

Autoritetet e kanë paraqitur këtë ndryshim si një përpjekje për të rritur besimin e publikut në shëndetin publik, duke u fokusuar vetëm te vaksinat që konsiderohen më thelbësore.

“Ky vendim mbron fëmijët, respekton familjet dhe rindërton besimin në shëndetin publik”, deklaroi Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.

Por ekspertët mjekësorë shprehin shqetësim të thellë, duke theksuar mungesën e debatit publik dhe transparencës shkencore.

“Braktisja e rekomandimeve për vaksinat që parandalojnë gripin, hepatitin dhe rotavirusin, dhe ndryshimi i rekomandimit për HPV pa një proces publik për të peshuar rreziqet dhe përfitimet, do të çojë në më shumë shtrime në spital dhe vdekje të parandalueshme midis fëmijëve amerikanë”, tha Michael Osterholm i Projektit të Integritetit të Vaksinave.

ME TE LEXUARAT