SHBA dërgon bombarduese të rënda në Afganistan për të siguruar largimin e forcave amerikane

Pas vendimit për tu tërhequr nga Afganistani, Shtetet e Bashkuara kanë angazhuar trupa ushtarake shtesë për të mbrojtur forcat amerikane dhe ato të koalicionit. Mësohet se bombarduese të rënda dhe aeroplanë luftarakë do të jenë aty për të ruajtur trupat dhe kontraktorët civilë. Kujtojmë se para disa javësh, Biden tha se 11 shtatori është afati i fundit për tërheqje të trupave, njëherësh 20 vjetori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit në tokën amerikane, të cilat më pas nxitën luftën.
Talibanët kanë paralajmëruar se nuk ekziston më ndonjë marrëveshje për të mos sulmuar trupat ndërkombëtare. Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar vitin e kaluar në mes të militantëve talibanë dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, forcat e huaja do të duhej të largoheshin nga Afganistani deri më 1 maj, dhe deri në atë kohë, talibanët nuk do të sulmonin këto forca.
Presidenti amerikan Joe Biden ka arsyetuar tërheqjen trupave, duke thënë se SHBA-ja është siguruar se Afganistani nuk do të jetë më bazë për xhihadistët e huaj, që të kryejnë komplote kundër Perëndimit. Presidenti afgan Ashraf Ghani ka thënë se forcat qeveritare kanë kapacitet të plotë për të mbajtur nën kontroll kryengritësit.
Mirëpo disa mendojnë se tërheqja e trupave të huaja mund ta kthejë Afganstanin në ditët e epokës së talibanëve./REL


