Rusia e rezervuar: Po shqyrtojmë propozimin, të gjitha marrëveshjet duhet të jenë sipas kushteve tona

Bota

Rusia e rezervuar: Po shqyrtojmë propozimin, të gjitha

Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio njoftoi se do të flasë me palën ruse lidhur me planin e armëpushimit në luftën me Ukrainën. Shefi i diplomacisë amerikane insistoi edhe një herë se e vetmja mënyrë për ta mbyllur këtë luftë është përmes negociatave, duke përcjellë kështu një mesazh të qartë edhe për veshët e Kremlinit. Por reagimet e para ruse pas ujdisë në Arabinë Saudite, duken të rezervuara. Kievi ra dakord me propozimin e Uashingtonit për armëpushim, por tani sytë janë kthyer nga Moska. “Ne mirëpresim rezultatet e bisedimeve”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Ajo e pa si një zhvillim pozitiv që administrata Trump dëshiron t’i ofrojë përsëri mbështetje ushtarake Ukrainës dhe të sigurojë informacionet e inteligjencës. Von der Leyen vlerësoi gjithashtu armëpushimin e planifikuar. Topi tani është në anën e Rusisë, sipas saj. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkroi në X për një pikë kthese të mundshme. “Tani i takon Rusisë që t’i japë fund luftës së saj të agresionit“, shkroi Baerbock.


Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, postoi në X pas ujdisë për armëpushim nga Ukraina, se “duket sikur amerikanët dhe ukrainasit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt paqes”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por Rusia duket se po e lë fillimisht të hapur përgjigjen e saj pas propozimit për një armëpushim të përkohshëm. Qeveria do të marrë vendimet e veta për konfliktin në Ukrainë, shpjegon zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Sakharova, pa dhënë detaje të tjera. “Përcaktimi i pozicionit të Federatës Ruse nuk zhvillohet jashtë vendit për shkak të disa ujdive ose përpjekjet e disa palëve. Përcaktimi i qëndrimit i Federatës Ruse zhvillohet brenda Federatës Ruse”, theksoi Zakharova.

Nënkryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, shkroi në Telegram: “Kushtet janë amerikane, jo ukrainase. Ukrainasit pajtohen me atë që u thuhet. Dhe në të njëjtën kohë ata përulen dhe bëjnë lajka”. Nuk do të funksionojë kështu me Rusinë, sepse Rusia është në marshim e sipër. “Të gjitha marrëveshjet duhet të jenë sipas kushteve tona, jo sipas kushteve amerikane”, ishte mesazhi i tij.

ME TE LEXUARAT