Presidentja e re e RMV “provokoi” konflikt me Greqinë gjatë betimit, reagon BE: Keqardhje që…

Bota

Presidentja e re e RMV “provokoi” konflikt me Greqinë

Bashkimi Evropian shprehu të dielën keqardhjen për faktin që presidentja e re e Maqedonisë, Siljanovska-Davkova, nuk përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së saj të betimit.

Nëpërmjet një deklarate të zëdhënësit për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, Bashkimi Evropian risjell në vëmendje rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë.

Ceremonia në parlament për betimin e presidentes së re të vendit, Gordana Siljanovska Davkova mblodhi ligjvënësit e të gjitha partive, drejtues të institucioneve më të larta, krerët e komuniteve fetare, si dhe përfaqësuesit diplomatikë.

Zonja Davkova është presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut dhe e gjashta që nga pavarësia në vitin 1991.

Presidentja e re është profesore univeristeti dhe një nga hartueset e kushtetutës së vendit. Gjatë betimit në parlament ajo nuk e përdori referencën “Maqedoni e Veriut” siç është në kushtetutë, por emrin e vjetër “Maqedoni”.

Zonja Siljanovska gjatë fjalimit vuri theksin tek roli dhe përfaqësimi i gruas në politikë, duke kritikuar kështu drejtuesit politikë meshkuj të vendit për injorimin e gruas në vendimmarrje dhe konkretisht në përfaqësimin në parlament.

Ajo foli për angazhimin kundrejt sundimit të ligjit, “dhe jo sundimin e disa individëve dhe disa burrave”, siç u shpreh ajo.

Ajo tha se “do të jetë presidente edhe e krahut të majtë dhe atij të djathtë në sallën e parlamentit; e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike, fetare e gjinore”.

“Do të përpiqem t’i arsyetoj këto mijëra vota të cilat paraqesin zotimin më të madh që kam pasur ndonjëherë në jetë”, deklaroi ajo por pa thënë asnjë fjalë lidhur me synimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Fjalimi i saj ka nxitur reagime në Greqinë fqinje, teksa ambasadorja greke e cila ishte e pranishme në ceremoninë e betimit, u largua në mënyrë demonstrative pasi zonja Siljanovska në minutat e para të marrjes së detyrës shkeli Marrëveshjen e Prespës, duke mos iu referuar vendit të saj me emrin e ri kushtetues. Për këtë arsye, partitë shqiptare të Frontit Evropian e komentuan paraqitjen e saj si shkelje të kushtetutës.

Vetëm ligjvënësit e partisë së saj VMRO-DPMNE e duartrokitën fjalimin.

Gordana Siljanovska Davkova fitoi me një rezultat të thellë prej 560 mijë votash në balotazhin e 8 majit. Por, roli i presidentit në Maqedoninë e Veriut është kryesisht ceremonial, ndonëse është komandant i përgjithshëm i ushtrisë; ka të drejtën e vetos së ligjeve, mund t’i falë dënimin të burgosurve dhe luan një rol në politikën e jashtme të vendit./voa

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion