Policia turke arreston protestuesit kundër dhunës ndaj grave

Bota

Policia turke arreston protestuesit kundër dhunës ndaj grave

Të premten, më 25 nëntor, policia turke ka shtypur protestën në Stamboll, ku pjesëmarrësit bënë thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe që Turqia t’i kthehet marrëveshjes që synon mbrojtjen e tyre, raporton AP.

Dhjetëra njerëz janë arrestuar.

Demonstruesit u përpoqën të marshonin në rrugën kryesore të Stambollit, rrugën Istiklal, për të shënuar Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, duke sfiduar urdhrin e autoriteteve për të ndaluar tubimin për arsye sigurie dhe të rendit publik.

Policia i pengoi protestuesit të arrinin te rrugët që të çojnë në Istiklal, rrethoi grupe protestuesish dhe më pas i arrestoi ata.

Autoritetet i kanë ndaluar tubimet e ngjashme në vitet e kaluara, të cilat çuan në përleshje midis policisë dhe demonstruesve.

Istiklal ishte vendi, ku pati një sulm me bombë, më 13 nëntor, që la të vrarë gjashtë persona. Autoritetet turke fajësuan grupet militante kurde për sulmin, por ato grupe mohuan përfshirjen.

Zyra e guvernatorit të Stambollit njoftoi të premten se i ndalon koncertet e drejtpërdrejta, ekspozitat dhe ngritjen e stendave me ushqime në sheshin Istiklal.

Vitin e kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e tërhoqi Turqinë nga Konventa e Këshillit të Evropës në Stamboll, gjë që nxiti reagime dënuese nga grupet e të drejtave të grave dhe vendet perëndimore.

Kjo konventë u nënshkrua në Stamboll në vitin 2011.

Vendimi për të braktisur konventën erdhi pasi disa zyrtarë në partinë islamike të Erdoganit argumentuan se ajo binte ndesh me vlerat konservatore të Turqisë dhe se konventa inkurajon shkurorëzimin dhe minon njësinë tradicionale të familjes.

Kritikët, gjithashtu pretendonin se ajo promovon marrëdhëniet e gjinisë së njëjtë./REL

ME TE LEXUARAT