Fituesja iraniane e Çmimit Nobel për Paqen në gjendje kritike, shtrohet në spital

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, është shtruar në gjendje kritike në një spital në Iran, pas një përkeqësimi të rëndë të gjendjes së saj shëndetësore, sipas njoftimit të fondacionit të familjes së saj.
Sipas deklaratave zyrtare, aktivistja 54-vjeçare u dërgua me urgjencë në një spital në Zanjan, pasi humbi ndjenjat dhe pësoi një atak të rëndë në zemër. Raportohet se ajo kishte disa ditë që vuante nga tension i lartë dhe simptoma të forta si të përziera.
Fondacioni bëri të ditur se gjendja e saj mbetet e paqëndrueshme dhe se po trajtohet me oksigjen, ndërsa familja ka kërkuar transferimin e saj në një spital më të specializuar në Teheran.
Më herët, shqetësim për shëndetin e saj kishte shprehur edhe Komiteti Norvegjez i Nobelit, i cili i akordoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023, ndërsa ajo ndodhej në burg.
Mohammadi është e njohur për aktivizmin e saj në mbrojtje të të drejtave të njeriut, veçanërisht për të drejtat e grave dhe kundërshtimin e dënimit me vdekje në Iran. Ajo është dënuar disa herë me burg për aktivitetin e saj, ndërsa rasti i saj ka tërhequr vëmendje dhe reagime të shumta ndërkombëtare, me thirrje për lirimin e saj dhe trajtim të plotë mjekësor.


