Pas 27 vitesh punë, largohet nga Amazon Jeff Bezos

Jeff Bezos, një nga njerëzit më të pasur në botë, po largohet nga Amazon, duke lënë një trashëgimi të qëndrueshme pasi e nisi me shitje librash në internet nga një garazh në Seattle dhe shndërroi projektin e tij në një nga korporatat më të fuqishme të botës. 57-vjeçari njoftoi në shkurt se do të largohej si CEO i Amazon në tremujorin e tretë të këtij viti.Agjencitë e huaja raportuan se pronari dhe themeluesi i kompanisë do t’ia linte luftën me punëtorë të pakënaqur pasardhësit të tij Andy Jassy, për të pasur më shumë kohë për filantropi, redaktim gazetash dhe duele hapësinore me Elon Musk, njeriu që e dëboi atë nga pozita e njeriu më i pasur në botë në fillim të këtij viti.
Ai, megjithatë, do të mbajë një nga rolet kryesore në departamentet e teknologjisë dhe shitjeve elektronike në atë gjigand biznesi, të cilin ai e nisi 27 vjet më parë. Për 20 korrik, Bezos njoftoi gjithashtu një udhëtim në hapësirë. Pas largimit nga detyra si CEO dhe menaxhim i përditshëm i Amazon, Bezos do të përqendrohet më shumë në kompaninë e tij të eksplorimit hapësinor Blue Origin.
Ai pretendon se dëshiron t’i kushtojë gjithnjë e më shumë luftës kundër ndryshimit të klimës, por aktualisht, pas raporteve të mediave, ai po përballet me kritika se nuk ka paguar taksë mbi të ardhurat për disa vjet.


