Pakistan, aktivistja për të drejtat e njeriut Mahrang Baloch dënohet me burgim të përjetshëm

Një gjykatë antiterror në provincën pakistaneze të Beluxistanit dënoi të hënën me burgim të përjetshëm aktivisten e njohur për të drejtat e njeriut, Dr. Mahrang Baloch, dhe një bashkëaktivist të saj, Sibghatullah Shah, duke i shpallur fajtorë për vrasje dhe vepra penale të lidhura me terrorizmin.
Sipas vendimit të gjykatës, të dy u shpallën fajtorë për nxitjen e një turme që vrau një ushtarak paraushtarak gjatë një proteste në Gwadar, në vitin 2024. Viktima, Shabbir Ahmed, ishte pjesë e forcave paraushtarake dhe humbi jetën gjatë përleshjeve që shpërthyen pas një proteste të organizuar nga Komiteti i Unitetit Baloch (BYC), një grup i të drejtave civile që denoncon prej kohësh abuzimet ndaj popullsisë lokale.
Baloch, 33 vjeçe, drejtuese e BYC-së, u arrestua nga qeveria e provincës së Beluxistanit më 22 mars 2025, e akuzuar për terrorizëm, kryengritje dhe vrasje, pasi kishte udhëhequr një protestë.
Krahas dënimit me burgim të përjetshëm, të dy personat e dënuar duhet të paguajnë 200,000 rupie (rreth 720 dollarë amerikanë) si dëmshpërblim për familjen e viktimës.
Procesi gjyqësor është konsideruar i kontestueshëm nga avokatët mbrojtës. Seancat, të planifikuara fillimisht në Gwadar, u zhvendosën në Quetta për arsye sigurie dhe më pas u zhvilluan brenda një burgu me masa të larta sigurie, me disa dëshmitarë që u lidhën me videokonferencë. Motra e Baloch dhe anëtare e ekipit të saj ligjor, Nadia Baloch, deklaroi se rasti i së motrës u zhvendos nga një gjykim i hapur në një gjykim brenda burgut, e më pas në një gjykim "të paidentifikuar", pa transparencë.
Vendimi nxiti reagime të menjëhershme. Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Pakistan kërcënoi se shteti vazhdon politikën e trajtimit të aktivizmit për të drejtat themelore në të njëjtën mënyrë si militantizmin. Nga ana tjetër, autoritetet e Beluxistanit e mbrojtën vendimin. Kryeministri i provincës, Sarfaraz Bugti, tha se drejtësia ishte bërë për ushtarin Shabbir Baloch dhe se ata që marrin ligjin në duart e tyre nën petkun e protestës paqësore, në fakt nxisin terrorizmin.
Mahrang Baloch është mjeke e diplomuar dhe figura më e njohur e lëvizjes që kërkon llogaridhënie për zhdukjet e detyruara dhe vrasjet ekstragjyqësore në Beluxistan. Ajo është renditur nga Time Magazine dhe BBC ndër 100 liderët në ngritje dhe 100 grate më frymëzuese.
Avokati i saj, Israr Jattak, njoftoi se vendimi do të kundërshtohet në Gjykatën e Lartë të Beluxistanit.


