NASA jep lajmin, pjesët e një sateliti do të bien sot në mesnatë në Tokë

Bota

NASA jep lajmin, pjesët e një sateliti do të bien sot në

Pjesë të një sateliti të NASA-s pritet të rihyjnë në atmosferën e Tokës të martën në mbrëmje, por rreziku që ato të godasin njerëz është i ulët.

Sipas Forcës Hapësinore të SHBA-së, anija kozmike Van Allen Probe A, me peshë rreth 600 kilogramë, pritet të rihyjë në atmosferë rreth mesnatës së sotme. Pjesa më e madhe e saj do të digjet gjatë hyrjes, ndërsa vetëm disa komponentë mund të mbijetojnë dhe të arrijnë në sipërfaqen e Tokës.

Agjencia amerikane thekson se probabiliteti që dikush në Tokë të dëmtohet nga pjesët e satelitit është shumë i vogël, rreth 1 në 4,200. NASA dhe Forca Hapësinore do të vazhdojnë të monitorojnë hyrjen e satelitit dhe të përditësojnë parashikimet.

Sipas ‘The Guardian’, rënia e këtyre pjesëve nga hapësira nuk është një fenomen i rrallë. Sipas vlerësimeve, gjatë një periudhe 40-vjeçare rreth 5,400 ton materiale kanë mbijetuar rihyrjes në atmosferë. Megjithatë, rreziku për njerëzit mbetet shumë i ulët, pasi rreth 71% e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga uji.

Një nga rastet e rralla të goditjes nga pjesët hapësinore ndodhi në vitin 1997, kur Lottie Ëilliams, nga Tulsa në Oklahoma, u godit lehtë në shpatull nga një copë metali teksa po shëtiste në një park. Fragmenti mendohet të ketë qenë pjesë e një rakete Delta që ishte shpërbërë gjatë rihyrjes në atmosferë.

Satelitit Van Allen Probe A u nis më 30 gusht 2012 nga Kepi Canaveral në Florida, së bashku me sondën binjake Van Allen Probe B, në një mision për të studiuar rripat e rrezatimit Van Allen, zona me grimca të ngarkuara që mbahen nga fusha magnetike e Tokës.

Të dy satelitët u çaktivizuan në vitin 2019, pasi u mbaroi karburanti dhe nuk mund të orientoheshin më drejt Diellit. Fillimisht ishte parashikuar që ato të rihynin në atmosferë rreth vitit 2034, por llogaritjet e mëvonshme treguan se Van Allen Probe A do të kthehej shumë më herët. Ndërkohë, sonda e dytë nuk pritet të rihyjë para fundit të kësaj dekade./Top Channel

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion