Negociata të fshehta me Gjermaninë, Trump kërkon rritjen e çmimeve të ilaçeve në Europë: Po përfitoni në kurrizin tonë

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka nisur një nismë diplomatike për të shtyrë vendet europiane që të rrisin çmimet e ilaçeve, duke argumentuar se SHBA po mbulon pjesën më të madhe të kostove për kërkimin dhe zhvillimin e medikamenteve të reja.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, përfshirë analizat e Politico, Uashingtoni po ushtron presion të drejtpërdrejtë mbi qeveritë europiane për të rishikuar politikat e tyre të çmimeve në sektorin farmaceutik.
Në qendër të kësaj strategjie është ideja se pacientët amerikanë paguajnë deri në tre herë më shumë për ilaçe të reja krahasuar me vendet europiane, duke krijuar një, sipas SHBA-së, “pabarazi në ndarjen e kostove të inovacionit”.
Sipas burimeve të raportuara, në këtë proces janë përfshirë edhe përfaqësitë diplomatike amerikane në Europë, të cilat po zhvillojnë bisedime me qeveri të ndryshme, përfshirë Gjermaninë, që konsiderohet tregu më i madh farmaceutik në kontinent.
Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se mungesa e rritjes së çmimeve mund të ndikojë në investimet e industrisë farmaceutike dhe në aksesin e vendeve europiane ndaj barnave të reja. Në të njëjtën kohë, kompanitë farmaceutike kanë sinjalizuar mundësi zhvendosjeje të investimeve në tregje më fitimprurëse.
Debati është thelluar edhe më tej pas marrëveshjes së fundit mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila parashikon rritje graduale të shpenzimeve për ilaçe inovative në këmbim të lehtësive tregtare për industrinë farmaceutike britanike.
Ndërkohë, në Europë ka shqetësime se një rritje e çmimeve do të rëndonte më tej sistemet shëndetësore publike, të cilat tashmë ndodhen nën presion financiar.
Ekspertët paralajmërojnë se ky zhvillim mund të hapë një tjetër front tensionesh mes SHBA-së dhe Europës, duke shtuar një dimension të ri në marrëdhëniet transatlantike, përtej tregtisë, sigurisë dhe mbrojtjes.


