Moldavia, një zgjedhje midis BE-së dhe Rusisë! DW: “Prapaskenat” e Moskës për ta larguar nga rruga evropiane

Të dielën (28 shtator), në Moldavi zhvillohen zgjedhjet parlamentare, ndoshta më të rëndësishmet që nga pavarësia në vitin 1991.
Moska po bën gjithçka që mundet për ta larguar vendin nga rruga evropiane. Nëse duhen besuar pretendimet në video të shumta në TikTok, atëherë Republika e Moldavisë aktualisht sundohet nga një regjim i tmerrshëm.
“Diktatura” e Presidentes pro-evropiane Maia Sandu dhe Partisë liberal-konservatore të Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) në pushtet. Një “regjim kukull” që i është shitur BE-së, NATO-s dhe miliarderit amerikan George Soros – me qëllim shkatërrimin e bujqësisë moldave, “instalimin e ideologjisë LGBTQ” dhe udhëheqjen e vendit në luftë kundër Federatës Ruse.
Midis atyre që postojnë gjëra të tilla në TikTok pothuajse çdo ditë është ish-Presidenti moldav Igor Dodon, një ndjekës besnik i diktatorit rus Vladimir Putin.
Dodon është udhëheqësi i Partisë Moldave të Socialistëve (PSRM) dhe udhëheqësi i aleancës zgjedhore Blloku i Patriotëve.
Logoja e aleancës përmban një yll të bardhë dhe të kuq me një zemër brenda, dhe brenda saj është “ngulitur” simboli sovjetik i drapërit dhe çekanit.
Dodon e përshkruan veten si një politikan i krahut të djathtë, i përkushtuar ndaj “vlerave tradicionale”, që pëlqen t’i përfundojë videot e tij me përshëndetjen ortodokse të krishterë “Zoti e ndihmoftë!”.


