Zbulohet plani amerikan me 21 pika për Gazën

Një dokument i klasifikuar me 21 pika që përshkruan planin e SHBA-ve për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të hapur rrugën për krijimin e një shteti palestinez është zbuluar nga gazeta “Times of Israel”.
Plani thuhet se është hartuar nga i dërguari special Steve Witkoff me kontributin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe Jared Kushner dhe i është prezantuar një numri vendesh arabe gjatë takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Edhe pse në muajin shkurt Presidenti amerikan Donald Trump fliste për një “zhvendosje” të dy milionë banorëve të Gazës, tashmë plani parashikon në mënyrë të qartë qëndrimin e tyre, rindërtimin gradual të zonës dhe në të ardhmen gjetjen e një “zgjidhjeje politike” me perspektivën e një shteti.
Plani kërkon një armëpushim të menjëhershëm në këmbim të lirimit të pengjeve, ndihmës humanitare masive, ngritjen e një administrate të përkohshme nga teknokratë palestinezë, demilitarizimin e plotë të Rripit Palestinez dhe pjesëmarrjen e një force ndërkombëtare stabilizimi. Në horizont lihet e hapur mundësia e njohjes së një shteti palestinez pas reformimit të Autoritetit Palestinez.
Propozimi përmban gjithashtu “vija të kuqe” për palën izraelite: çarmatim të plotë të Hamasit, rol zero të tij në administratën e ardhshme, demilitarizim dhe një proces deradikalizimi.
Trump deklaroi se “kanë filluar negociata intensive prej katër ditësh dhe do të vazhdojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke theksuar se të gjitha vendet në rajon po marrin pjesë.


