“Më mirë të martohesh me një grua me fund të gjatë, ajo s’të tradhton”/ Senatoret revoltë pas fjalëve të Tajan

Bota

“Më mirë të martohesh me një grua me fund të

Një protestë e pazakontë ka marrë vëmendjen në Senatin italian, ku 11 senatore të opozitës janë paraqitur me minifunde në Palazzo Madama, në shenjë kundërshtimi ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit Antonio Tajani për gratë.

Senatoret, përfaqësuese të Partisë Demokratike, Italia Viva dhe Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë (AVS), iu bashkuan nismës së propozuar nga Raffaella Paita e Italia Viva, duke e kthyer veshjen në një formë simbolike proteste.

Gjithçka nisi pas një deklarate të Tajanit gjatë një aktiviteti politik në Formello, ku kreu i Forza Italia, duke folur për stabilitetin dhe besnikërinë, përdori si shembull zgjedhjen e një bashkëshorteje. Ai tha se ishte më mirë të zgjidhej një grua “më pak e dukshme” dhe me “fund më të gjatë”, duke e lidhur këtë me besnikërinë.

Deklarata u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe shkaktoi reagime të shumta në politikën italiane, veçanërisht nga përfaqësueset e opozitës, të cilat e kritikuan si një mënyrë të papranueshme për të gjykuar gratë në bazë të veshjes.

Polemikat e detyruan Tajanin të kërkonte falje gjatë qëndrimit në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“U kërkoj falje nëse disa njerëz janë ndier të ofenduar nga ajo që kam thënë, por nuk kam menduar kurrë të ofendoj gratë. Nuk e kam bërë kurrë, as në jetën private dhe as në atë publike”, deklaroi Tajani. Ai argumentoi gjithashtu se fjalët e tij ishin shkëputur nga një diskutim më i gjerë dhe ishin keqinterpretuar.

Por falja nuk e ndali protestën. Senatoret e opozitës vendosën të shfaqeshin në Palazzo Madama me minifunde, duke iu përgjigjur në mënyrë ironike pikërisht referencës së Tajanit për gjatësinë e fundeve.

Në protestë morën pjesë, ndër të tjera, Raffaella Paita, Susanna Camusso, Silvia Fregolent, Cecilia D’Elia, Daniela Sbrollini, Ilaria Cucchi, Valeria Valente, Dafne Musolino dhe Simona Malpezzi.

Polemika ka dalë tashmë përtej Parlamentit. Edhe figura të tjera publike italiane kanë publikuar fotografi me minifunde, duke kundërshtuar idenë se serioziteti apo besnikëria e një gruaje mund të lidhet me mënyrën se si ajo vishet. Ish-kryebashkiakja e Torinos, Chiara Appendino, reagoi duke theksuar se “besueshmëria jonë nuk matet me centimetra stofi”.

ME TE LEXUARAT