Macron ftesë zyrtare Kurtit, e këshillon që të vazhdojë dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e sotme ka marrë një letër nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Ky i fundit e ka uruar për postin e ri që ka marrë dhe e këshillon që të vazhdojë dialogun me Serbinë.
Gjithashtu, Macron ka ftuar Kurtin në Francë për një vizitë zyrtare. Ai ka vlerësuar se në vitet e fundit është bërë një përparim i rëndësishëm në dialogun me Serbinë. Ai ka shkruar se shpreson që Kurti ta vazhdojë dialogun, duke i ofruar mbështetjen e Francës.
“Unë e di që ju synoni të realizoni reforma thelbësore, të cilat i kërkojnë bashkëqytetarët tuaj: forcimin e shtetit të së drejtës si dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës”, ka shkruar ndër tjerash Macron.
Macron ndër të tjera ka thënë se duhet shtuar edhe lufta kundër pandemisë e cila duhet të ketë përparësi të menjëhershme, në kohën kur Kosova po preket rëndë dhe kur Bashkimi Evropian po mobilizohet për të ndihmuar vendet e rajonit për të përballuar krizën shëndetësore dhe pasojat e saj. Presidenti francez i ka dhënë mbështetjen e tij Kurtit për të gjitha prioritetet për të mirën e kosovarëve.


