“Lumi i shenjtë” në Indi nxjerr në sipërfaqe 100 trupa të pajetë! Dyshohet se kanë humbur jetën nga Covid-i

Bota

“Lumi i shenjtë” në Indi nxjerr në sipërfaqe 100

Rreth 100 trupa të pajetë mendohet se janë hedhur në ujërat e lumit Ganges në Indi, pasi familjarët e tyre e kishin të pamundur ekonomikisht të përballonin kostot e krematoriumit.

BBC raporton se të dhënat e para tregojnë se këto persona dyshohet se kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit Covid-19 dhe që vinin nga familje me mundësi të pakta ekonomike që s’mund të paguanin koston e krematoriumit.

Pamjet e raportuara nga mediat tregojnë një skenë makabër, ku lumi i shenjtë i hindusëve “kthen” kufomat.

Shumë trupa lundrojnë mbi ujë dhe shumë të tjerë janë zbuluar në brigjet e lumit.

Autoritetet janë shprehur për agjencinë e lajmeve AP se rreth dyzet trupa të pajetë janë zbuluar, por mediat e ndryshme lokale raportojnë mbi njëqind kufoma.

Shumë banorë të zonës janë shprehur se viktimat janë hedhur në lumë, pasi krematoriumet ishin plot.

Shenjat tregojnë se pandemia po fillon të përhapet jashtë qyteteve, duke futur në kaos të plotë shumë institucione shëndetësore, por edhe krematoriumet dhe varrezat në shumë zona rurale të vendit.

India po përjeton një nga momentet më të këqija që nga fillimi i pandemisë, duke shënuar një shifër prej 22.6 milionë të infektuarish dhe gati 250 mijë viktima si pasojë e virusit SARS-COV2.

ME TE LEXUARAT