Liderët evropianë kundër Trump: Ukraina nuk nisi luftën, agresori është vetëm një

Bota

Liderët evropianë kundër Trump: Ukraina nuk nisi luftën,

Jehona e kritikave të Presidentit Donald Trump ndaj liderit ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdon të shkaktojë reagime. Zëri i Amerikës njofton se Trump ka insistuar në qëndrimet e tij, duke e quajtur Zelensky një diktator, pasi ai nuk ka organizuar zgjedhje që nga fillimi i agresionit rus në shkurt 2022.

Në një përpjekje për të zbutur tensionet, Zelensky tha të enjten në mbrëmje se marrëdhëniet e ngushta me SHBA-të janë të dobishme për të gjithë botën dhe se bisedimet me dërguarin e Presidentit Trump “kanë rikthyer shpresën” për një marrëveshje.

Ndërkohë, qytetet e Odesës dhe Kievit në Ukrainë u tronditën nga sulme të reja ruse, zhvillime që vijnë në një moment kur Evropa po reagon ndaj pohimeve të Presidentit Trump se Ukraina ka qenë ajo që ka nisur luftën dhe se Zelensky është një “diktator” për shkak të mosorganizimit të zgjedhjeve.

“Tre vite më parë, një vend sulmoi në mënyrë të paligjshme një tjetër dhe që atëherë, ukrainasit kanë luftuar për lirinë e tyre“, tha John Healey, Sekretar i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar.

Disa aleatë të vjetër po vërejnë një ndryshim në partneritetin e sigurisë me SHBA-në

“Evropa po kupton se nuk mund t’ia delegojë sigurinë e saj fuqive të tjera. Qeveria franceze qëndron në krah të Ukrainës ndërsa lufton për lirinë e saj, por edhe për sigurinë tonë evropiane”, tha Sophie Primas, zëdhënëse e qeverisë franceze.

Qëndrimet e Presidentit Trump ndaj Ukrainës shkaktojnë kritika të ashpra në Kongresin amerikan.

“Kur Presidenti Trump kërkon zgjedhje përpara se të arrihet një lloj armëpushimi ose një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme (në Ukrainë), shkaktohen keqkuptime ose keqinterpretime se kush është agresori dhe kush është viktima. Presidenti rus Putin nuk është zgjedhur kurrë në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Senatori demokrat Chris Coons anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Disa ligjvënës republikanë kundërshtojnë akuzat e Trump mbi nisjen e luftës nga Ukraina, ndërsa të tjerë mbështesin thirrjen për zgjedhje.

“Presidenti ka të drejtë që nuk ka pasur zgjedhje për një kohë të gjatë, dhe ata në thelb janë në gjendje të jashtëzakonshme nën ligjin ushtarak. Kjo nuk është gjë e mirë. Nëse pretendojnë se mbrojnë demokracinë, ata duhet ta bëjnë këtë gjë në praktikë”, tha senatori republikan Josh Hawley.

Ish-Presidenti rus Dmitry Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, shprehu habi në rrjetin social X, duke thënë: “Po të më kishe thënë vetëm tre muaj më parë se këto ishin fjalët e presidentit amerikan, do të kisha qeshur me të madhe.”

Ndërkohë, ekspertja Liana Fix u shpreh për Zërin e Amerikës se kritikat e Presidentit Trump ndaj Zelensky janë një pasqyrim i qartë i pretendimeve të gabuara të Rusisë mbi Ukrainën.

“Ne duhet ta shohim këtë si një lëvizje të Donald Trump-it për të minuar legjitimitetin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky e në rastin më të keq Trump që po mbron qëndrimet e Rusisë”, tha zonja Fix, bashkëpunëtore në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Të enjten, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pati një takim me të dërguarin amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, në Kiev. Megjithatë, një konferencë shtypi e planifikuar për të dy zyrtarët u anulua me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Pas takimit, Zelensky theksoi se marrëdhëniet e forta mes Ukrainës dhe SHBA-ve janë në interes të mbarë botës, duke kërkuar të ulë tensionet me Uashingtonin. Ai e cilësoi takimin me Kellogg si produktiv, duke theksuar se ishte diskutuar për situatën në fushëbetejë, kthimin e të burgosurve të luftës dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast të përfundimit të luftës. Presidenti ukrainas gjithashtu shtoi se bisedimet “rikthejnë shpresën” për një marrëveshje me SHBA-në.

“Ne kemi nevojë për marrëveshje të fortë me Amerikën, marrëveshje që do të funksionojë vërtet. Interesat ekonomike dhe interesat e sigurisë duhet të shkojnë gjithmonë krah për krah. Detajet e marrëveshjes janë të rëndësishme. Sa më mirë të hartohen detajet, aq më i mirë është rezultati”, tha ai.

I dërguari amerikan për luftën në Ukrainë, Keith Kellogg, deklaroi të premten se kishte zhvilluar bisedime “gjithëpërfshirëse dhe pozitive” me Presidentin Zelensky.

Në një postim në rrjetin social X, Kellogg shtoi se gjatë vizitës së tij në Kiev kishte pasur gjithashtu biseda me “ekipin e talentuar të sigurisë kombëtare” të Zelensky, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes dy palëve.

 

ME TE LEXUARAT