Kosova në zgjedhje të parakohshme, të tretat në 16 muaj. Proces i qetë me incidente të izoluara

Bota

Kosova në zgjedhje të parakohshme, të tretat në 16 muaj.

Qytetarët e Kosovës u rikthyen sot, më 7 qershor, në kutitë e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Të tretat brenda 16 muajsh. Procesi nisi në orën 07:00 dhe po zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime në mbarë vendin. Rreth dy milionë qytetarë kanë të drejtë vote, përfshirë diasporën, ndërsa 22.685 persona votojnë për herë të parë.

Në garë marrin pjesë 22 parti politike dhe tre koalicione. Vetëvendosja garon bashkë me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, ndërsa PDK, LDK dhe AAK konkurrojnë të vetme. Ish presidentja Vjosa Osmani udhëheq listën e LDK-së, ndërsa Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, garon e vetme. Procesi po monitorohet nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Diaspora ka votuar një ditë më parë në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në Evropë, SHBA dhe Kanada. Nga 27.724 votues të regjistruar jashtë vendit, 22.414 kanë ushtruar të drejtën e tyre, duke shënuar një pjesëmarrje prej mbi 80%.

Megjithatë, dita e votimit nuk ka kaluar pa incidente. Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në Prishtinë dhe Drenas, pasi dyshohet se kanë grisur fletëvotime. Të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po kryhen në koordinim me prokurorinë.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pasi votoi, bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve. Ai theksoi se numri i lartë i votuesve është garanci për demokracinë dhe se demokracia mbetet çelësi i organizimit politik e shoqëror në Kosovë.

Procesi zgjedhor po ndiqet me interes nga Bashkimi Evropian, i cili ka kërkuar krijimin e institucioneve të qëndrueshme për të çuar përpara reformat dhe integrimin evropian.

ME TE LEXUARAT