Kina dënon sulmin e SHBA ndaj Iranit në OKB: Armëpushim për të mos përhapur luftën!

Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara dënoi sulmin e SHBA-së ndaj centraleve bërthamore iraniane dhe bëri thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm" në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të dielën.
Ambasadori Fu Cong tha se Kina, Rusia dhe Pakistani kanë propozuar një projekt-rezolutë "që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, mbrojtjen e civilëve, respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe angazhimin në dialog dhe negociata".
Ai akuzoi SHBA-në për shkelje të Kartës së OKB-së, “të drejtës ndërkombëtare, si dhe sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të Iranit”, ndërkohë që përkeqësoi tensionet në Lindjen e Mesme dhe i dha “një goditje të rëndë regjimit ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve bërthamore”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë ligjin ndërkombëtar.
“Palët në konflikt, veçanërisht Izraeli, duhet të arrijnë një armëpushim të menjëhershëm për të parandaluar një përshkallëzim spiral dhe për të shmangur me vendosmëri përhapjen e luftës.
Palët e përfshira duhet t'i përmbahen ligjit ndërkombëtar, të frenojnë impulsin për të përdorur forcën dhe të shmangin përkeqësimin e konflikteve dhe hedhjen e benzinës në zjarr”, shtoi ai.


