“Kemi arritur një marrëveshje”, Trump tërhiqet përkohësisht nga tarifat 50% ndaj Kanadasë

Bota

“Kemi arritur një marrëveshje”, Trump tërhiqet

Presidenti amerikan Donald Trump ka shtyrë vendosjen e tarifave prej 50% ndaj një game të gjerë produktesh kanadeze, vetëm pak orë përpara se masat të hynin në fuqi.

“Kemi arritur një marrëveshje me Kanadanë”, u tha Trump gazetarëve të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, pas bisedimeve me kryeministrin kanadez Mark Carney.

Sipas CNN, tarifat do të preknin importe me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, ose afërsisht 5% të importeve totale amerikane nga Kanadaja gjatë vitit të kaluar. Mes produkteve të prekura do të ishin bulmeti, pijet alkoolike, mobiliet, plastika, veshjet dhe pajisjet industriale.

Trump njoftoi fillimisht një shtyrje prej tri ditësh, deri në finalizimin e dokumenteve të marrëveshjes.

“Ne do të japim diçka dhe po bëjmë disa gjëra”, tha presidenti amerikan, pa dhënë hollësi mbi lëshimet që Uashingtoni dhe Otava kanë bërë gjatë negociatave.

Edhe Carney konfirmoi përparimin në negociata, por tregoi më shumë kujdes për rezultatin përfundimtar.

“Është bërë përparim i konsiderueshëm, megjithëse mbetet ende punë e rëndësishme për t’u bërë”, deklaroi kryeministri kanadez.

Ministri kanadez përgjegjës për tregtinë me SHBA-në, Dominic LeBlanc, tha gjithashtu se negociatat vazhdojnë për finalizimin e marrëveshjes.

Trump kishte kërcënuar me tarifat e reja duke akuzuar Kanadanë se vendos pengesa ndaj eksporteve amerikane, veçanërisht në sektorët e bulmetit, automjeteve dhe alkoolit.

Presidenti amerikan përmendi gjithashtu mundësinë e rikthimit të projektit të naftësjellësit Keystone XL, duke deklaruar se ai “mund të zgjohet nga varri”, por pa dhënë detaje për ndonjë marrëveshje konkrete me Kanadanë mbi projektin.

Shtyrja shmang, të paktën për momentin, një përshkallëzim të ri të konfliktit tregtar mes dy vendeve.

Dhoma Amerikane e Tregtisë kishte paralajmëruar se tarifat prej 50% do të rrisnin kostot për konsumatorët, do të dëmtonin zinxhirët e furnizimit dhe do të rrezikonin vendet e punës të lidhura me tregtinë mes SHBA-së dhe Kanadasë.

ME TE LEXUARAT