Kancelari gjerman reagon për vendosjen e tarifave të importit të çelikut dhe aluminit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, paralajmëroi se Bashkimi Evropian do të përgjigjet njëzëri nëse presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdon të vendosë tarifa ndaj produkteve evropiane.
"Nëse SHBA-ja nuk na lë mundësi tjetër, atëherë vendet e BE-së do të reagojnë njëzëri. Si tregu më i madh në botë me 450 milionë qytetarë, ne kemi forcën për ta bërë këtë", tha ai.
Ai gjithashtu paralajmëroi se edhe pa një luftë tregtare, konkurrenca e ashpër nga SHBA, Kina dhe rajone të tjera do të vazhdojë të ushqejë presion mbi ekonominë gjermane.
Të hënën Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 25 për qind për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit pa përjashtime, masë që do të ndikojë në shumë vende, veçanërisht në partnerët kryesorë si Kanadaja, Meksika dhe shtetet evropiane, të cilët janë furnizuesit kryesorë të këtyre metaleve në tregun amerikan.


