Kaloi 70 vite në burg, i shpëtoi 8 herë ekzekutimit, i dënuari vdes në moshën 101-vjeçare (EMRI)

Bota

Kaloi 70 vite në burg, i shpëtoi 8 herë ekzekutimit, i

Francis Clifford Smith, i burgosuri amerikan që kaloi rreth 70 vite në burg, ka ndërruar jetë në moshën 101-vjeçare.

Jeta e tij mund të kishte përfunduar shumë më herët, pasi ekzekutimi i tij ishte shtyrë tetë herë. Smith ishte dënuar në vitin 1950, kur ishte 25 vjeç, për vrasjen e një roje nate.

Gjatë gjithë këtyre viteve, ai këmbënguli se ishte i pafajshëm. Disa dëshmitarë kishin tërhequr dëshmitë e tyre fillestare, ndërsa një person tjetër kishte pranuar se kishte kryer vrasjen.

Për shkak të këtyre dyshimeve, ekzekutimi i tij u shty disa herë, deri në vitin 1954, kur dënimi me vdekje iu shndërrua në burgim të përjetshëm.

Megjithatë, Smith do të kalonte rreth shtatë dekada pas hekurave, duke u bërë, sipas BBC, personi që kishte kaluar më shumë vite në burg në historinë e burgjeve amerikane.

Gjatë afro 70 viteve të vuajtjes së dënimit, Smith doli nga burgu vetëm tri herë.

Në vitin 1967 ai u arratis dhe qëndroi i lirë për 12 ditë, përpara se të arrestohej sërish. Në vitin 1974 iu lejua të kalonte natën e Krishtlindjes në shtëpi, për t’u kthyer në burg ditën e Krishtlindjes.

Një vit më vonë, në 1975, u lirua me kusht, por u arrestua sërish brenda 10 muajsh për armëmbajtje.

Gjatë qëndrimit në burgun Osborne në Connecticut, Smith kishte krijuar një zakon të veçantë, ushqente zogjtë. Sipas personave që e njihnin, ai fshihte copa buke në rrobat e tij për t’ua dhënë zogjve, ndërsa të tjerët bënin sikur nuk e shihnin.

Smith kishte refuzuar disa herë mundësinë për t’u liruar me kusht. Vetëm në vitin 2020, në moshën 95-vjeçare, ai u lirua dhe u vendos nën mbikëqyrje në një qendër për të moshuar.

ME TE LEXUARAT