Kabineti i ri i Donald Trump, kush janë emrat nën shqyrtim

Bota

Kabineti i ri i Donald Trump, kush janë emrat nën shqyrtim

Pas fitores në zgjedhje një tjetër garë nisi menjëherë për Presidentin e zgjedhur Donald Trump, sprinti 11-javor për të zgjedhur administratën e re, që do të duhet të jetë gati për të marrë drejtimin e vendit më 20 janar të vitit 2025.

Administrata e një presidenti përfshin me mijëra të emëruar, por në javët e para, pas zgjedhjeve, vëmendja është përqendruar tek përbërja e kabinetit të tij.

Tradicionalisht në të përfshihet nënpresidenti dhe drejtuesit e 15 departamenteve të degës ekzekutive, si ai i Shtetit, i Drejtësisë, apo Departamenti i Thesarit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Veç anëtarëve të kabinetit, janë edhe rreth 10 zyrtarë të tjerë, që shërbejnë në pozita që konsiderohen në nivelin e një anëtari kabineti, siç është përfaqësuesi amerikan për tregtinë, drejtori i zbulimit kombëtar dhe shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë.

Përveç nënpresidentit dhe shefit të kabinetit, të gjithë të emëruarit në nivel kabineti, duhet të konfirmohen nga Senati.

Të enjten në mbrëmje, zoti Trump njoftoi se Susie Wiles, një prej dy menaxhereve kryesorë të fushatës së tij të suksesshme elektorale, do të jetë shefja e kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Ajo bëhet kështu gruaja e parë që shërben në këtë pozitë.

Ndërkohë zoti Trump ka ofruar pak informacion mbi emrat që do të përbëjnë kabinetin e tij të ri.

Shumë prej atyre që shërbyen në administratën e tij të parë, që nga ajo kohë, i kanë shkëputur marrëdhëniet me presidentin e zgjedhur. Disa prej tyre madje, shkuan aq larg, sa të mbështesin kundërshtaren e tij, nënpresidenten Kamala Harris. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i ish zyrtarëve të zotit Trump kanë mbajtur marrëdhënie të mira me të dhe mund të rishfaqen në role të rëndësishme në administratën e ardhshme.

Mes atyre që ai mund të vendosë në poste kyçe janë anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të Kongresit, si dhe figura të njohura nga bota e biznesit që mbështetën fushatën e tij, si themeluesi i SpaceX, Elon Musk.

Ekipi i tranzicionit

Kandidatët presidencialë zakonisht krijojnë ekipe tranzicioni shumë përpara përfundimit të zgjedhjeve për të lëviyur me shpejtësi me procesin që pason.

Jo-Anne Sears, eksperte pranë Qendrës për Studimin e Presidencës dhe Kongresit, ka shërbyer në ekipet e tranzicionit për ish-Presidentin George W. Bush dhe kandidatin republikan për president të vitit 2012, Mitt Romney.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se ka qenë në kontakt me anëtarët e ekipit të tranzicionit të zotit Trump dhe pret që përzgjedhja të bëhet mes një numri të madh emrash nën shqyrtim.

"Nga ajo që po dëgjoj nga zyrtarë që po merren me çështjet e tranzicionit është se ata duan që realisht të sjellin më të mirët dhe më të ndriturit në Uashington", tha zonja Sears. “Kjo do të thotë se ata do të vijnë nga pjesë të ndryshme të vendit dhe nuk do të jetë vetëm nga Nju Jorku apo Uashingtoni".

"Mendoj se ai do të përpiqet të sjellë njerëz që janë ekspertë të vërtetë në fushat e tyre, qoftë sa i takon sigurisë kombëtare, në çështje që lidhen me teknologjinë, apo efikasitetin e qeverisjes, që mendoj se do të jetë një nga qëllimet e tij", tha zonja Sears.

Ish të emëruarit e kabinetit Trump

Disa nga zgjedhjet që bien në sy për poste të larta në administratën e dytë të zotit Trump janë individë që mbanin poste të larta në administratën e parë, për të cilat nevojitej konfirmim nga Senati.

Robert Lighthizer shërbeu si përfaqësues për tregtinë për pjesën më të madhe të mandatit të parë të zotit Trump. Ai mund të rishfaqet në administratën e re në një rol më të lartë, siç është ai i Sekretarit të Thesarit.

Mike Pompeo, i cili shërbeu si drejtor i CIA-s dhe Sekretar Shteti në periudha të veçanta në administratën e parë të zotit Trump, mund të rikthehet në një nga këto poste, ose në atë të Sekretarit të Mbrojtjes.

John Ratcliffe, shërbeu si drejtor i Zbulimit Kombëtar të zotit Trump gjatë vitit të fundit të mandatit të tij të parë. Ai mund të emërohet në një post të lartë që lidhet me zbulimin, apo në atë të Prokurorit të Përgjithshëm, (siç njihet posti i Ministrit të Drejtësisë në SHBA).

Linda McMahon, ish-shefja ekzekutive e "World Wrestling Entertainment", një kompani e mundësve profesionistë, shërbeu si drejtuese e Administratës së Biznesit të Vogël në mandatin e parë të zotit Trump. Ajo është aktualisht një nga drejtueset e ekipit të tranzicionit të zotit Trump dhe emri i saj po përflitet për postin e Sekretares së Tregtisë.

Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i zotit Trump në Gjermani dhe më pas për një kohë të shkurtër në vitin 2020, si drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar, besohet se të jetë në garë për postin e Sekretarit të Shtetit. Megjithatë, zoti Grenell një figurë jashtëzakonisht luftarake, mund të hasë në vështirësi në procesin e konfirmimit në Senat. Ai mund të jetë gjithashtu kandidat, për postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, një pozicion jo në nivel kabineti për të cilin nuk kërkohet konfirmim në Senat.

Robert O'Brien, ish-këshilltari i zotit Trump për Sigurinë Kombëtare, i cili gjithashtu ka shërbyer si i dërguar për çështjet e pengjeve, mund të marrë gjithashtu një detyrë të lartë në administratën e re, ndoshta atë të sekretarit të Shtetit.

Stephen Miller, i cili ka qënë këshilltar i lartë i zotit Trump gjatë administratës së tij të parë, mund të rikthehet gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, edhe zoti Miller mund të përballet me vështirësi konfirmimi në Senat.

Anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të Kongresit

Kongresmenë dhe dhe ish të tillë, po shqyrtohen gjithashtu si emra të mundshëm për administratën e re, përfshirë senatorin e shtetit Utah, Mike Lee.

Një avokat dhe mbështetës i flaktë i zotit Trump, që ndihmoi në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020, zoti Lee besohet të jetë një kandidat kryesor për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Senatori Bill Hagerty i shtetit Tenesi, besohet të jetë në shqyrtim për poste të ndryshme të larta. Ai shërbeu si ambasador i zotit Trump në Japoni përpara se të zgjidhej në Senat. Emri i tij është përmendur për pozicione të lidhura me tregtinë dhe diplomacinë.

Senatori i Floridës, Marco Rubio, shndërruar nga një kritik i ashpër në një mbështetës të flaktë të zotit Trump, emri i të cilit u lakua si një kandidat për nënpresident vitin e kaluar, po shqyrtohet tashmë për pozitën e Sekretarit të Shtetit.

Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut është një nga mbështetësit më të njohur të zotit Trump në komunitetin afrikano-amerikan. Ai po shqyrtohet mes emrash të tjerë për postin e sekretarit të Strehimit dhe Zhvillimit Urban.

Senatori Tom Cotton nga shteti Arkansa, një veteran i ushtrisë dhe një mbështetës fortë i mbrojtjes kombëtare, është në shqyrtim për postin e sekretarit të Mbrojtjes.

Një tjetër emër që po shqyrtohet për detyrën e lartë në Pentagon është Mike Waltz, ish pjestar i forcave speciale të ushtrisë dhe kolonel i Gardës Kombëtare, që ka shërbyer në Kongres duke përfaqësuar shtetin e Floridës.

Zoti Waltz ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në mbrotje të zotit Trump në media.

Ligjvënësi Mark Green nga shteti Tenesi, i cili kryeson Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve, shihet si një zgjedhje e mundshme për të drejtuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

Ligjvënësja e Nju Jorkut, Elise Stefanik është përmendur si ambasadore e mundshme në Kombet e Bashkuara.

Udhëheqësit e biznesit

Elon Musk luajti një rol të madh në financimin e fushatës së zotit Trump dhe ka sinjalizuar se është i hapur për të shërbyer në një lloj komisioni që synon ta bëjë qeverinë federale më efikase, por përfshirja e tij në një pozicion zyrtar në kabinet duket e pamundur.

Zoti Musk shërben aktualisht si drejtor ekzekutiv i disa kompanive që kanë kontrata me vlerë miliarda dollarësh me qeverinë federale, përfshirë kompaninë e raketave SpaceX.

Kjo krijon një mundësi të mëdha për konflikt të mundshëm interesi, që do ta vështirësonin konfirmimin e tij në Senat.

John Paulson, një miliarder, që drejton kompani që menaxhojnë fonde investimesh, e që e ka mbështetur zotin Trump që nga fushata e parë e tij për presidentit në vitin 2016, thuhet se po shqyrtohet për postin e Sekretarit të Thesarit.

Në shqyrtim për këtë post është edhe Scott Bessent, një menaxher i kompanive të fondeve të investimeve dhe këshilltar i fushatës së zotit Trump.

Një nga drejtuesit e ekipit të tranzicionit të zotit Trump, Howard Lutnick, drejtor ekzekutiv i firmës së shërbimeve financiare “Cantor Fitzgerald”, është një kandidat i mundshëm për postin që lidhet me politikat ekonomike.

Prej kohësh ka zëra se Jamie Dimon, drejtor ekzekutiv i bankës “JPMorgan Chase”, po shqyrtohet për postin e Sekretarit të Thesarit. Megjithatë njoftimet e fundit kanë sugjeruar se ai nuk është i interesuar për një gjë të tillë.

Robert F. Kennedy Jr., nipi i ish-presidentit John F. Kennedy dhe djali i ish-prokurorit të përgjithshëm, Robert Kennedy, e nisi fushatën si kandidat i pavarur për president, po më pas u tërhoq dhe i dha mbështetjen zotit Trump.

Në këmbim, zoti Trump i ka ofruar atij një rol në formësimin e politikave të shëndetit publik.

Gjatë një telefonatë me mbështetësit e tij në fund të fushatës, zoti Kennedy tha se zoti Trump i kishte "premtuar" kontrollin e Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore - që përfshin Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve, Administratën e Ushqimit dhe Barnave dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, ose si Sekretar i Departamentit të Bujqësisë.

Megjithatë ekzistojnë pikëpyetje nëse zoti Kennedy mund t'i mbijetojë konfirmimit në Senat për një pozicion në nivel kabineti. Dikur një aktivist i çështjeve të mjedisit, në dekadat e fundit ai është shndërruar në një skeptik të njohur të vaksinave dhe mbron teorive konspirative, ndaj dhe ligjvënësit mund të ngurrojnë ta vendosin atë në krye të një agjencie që lidhet me shëndetin publik.

Po kështu në listën e gjatë të emrave nën shqyrtim për administratën e re Trump mund të jenë edhe ish-kundërshtarët kryesorë të tij në zgjedhjet paraprake, të kthyer tani në mbështetës, Doug Burgum, ish-guvernatori i Dakotës së Veriut dhe biznesmeni Vivek Ramaswamy./zeri i amerikes

ME TE LEXUARAT