Izraeli refuzon armëpushimin e Hamas, përgatit trupat në kufi për pushtim tokësor pas mizorisë në Gaza

Bota

Izraeli refuzon armëpushimin e Hamas, përgatit trupat në kufi

Benjamin Netanyahu ka refuzuar sot kërkesën për armëpushim nga Hamas, teksa Izraeli po dislokon trupat e këmbësorisë pranë kufirit të Gaza, për pushtimin territorial pas masakrës së bombave ajrore në zonën e banuar.

Të paktën 600 sulme ajrore izraelite janë kryer prej të hënës mbi qytetin e Gazas, të cilat kanë shembur ndërtesa banimi, dhe sipas Izraelit kanë neutralizuar nëntë komandantë të Hamas. Këta të fundit kanë lëshuar rreth 1000 raketa drejt Izraelit duke shkaktuar te paktën pesë të vdekur.

Me gjithë dënesën e komunitetit ndërkombëtar, Netanyahu thotë se ushtria është e gatshme për një operacion afatgjatë në Gaza dhe ka refuzuar një kërkesë armëpushimi që Hamas njoftoi përmes ministrisë së jashtme të Rusisë.

Deri tani 83 palestinezë janë vrarë nga sulmet, duke përfshirë dhe 17 fëmijë.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha sot se trupat ushtarake janë pranë kufijve të Gaza, për operacione të ngjashme me ato të viteve 2014 dhe 2008-2009.

Presidenti Joe Biden dhe kryeministri Boris Johnson bënë thirrje për përmbajtje dje. Ndërsa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dënoi sjelljen e Izraelit duke thënë se vendit “i duhet dhënë një mësim”.

Erdogan tha në një bisedë telefonike me Vladimir Putin se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i japë Izraelit një mësim të mirë, dhe kërkoi që OKB të ndërhyjë me një mesazh “të qartë e të vendosur”.

Por thirrjet ranë në vesh të shurdhër teksa mëngjesin e sotëm Izraeli dhe Hamas vijuan shkëmbimin e zjarrit, megjithëse forca e grupit militant palestinez nuk mund të krahasohet me mundësitë e zjarrit te Izraelit.

ME TE LEXUARAT