Izraeli: Kemi sulmuar vende që kontrollohen nga Hezbollahu në Liban

Bota

Izraeli: Kemi sulmuar vende që kontrollohen nga Hezbollahu në Liban

Izraeli tha se ka kryer sulme ajrore ndaj vendeve që përdoren nga Hezbollahu për të prodhuar dhe ruajtur raketa në Liban. Izraeli ka sulmuar disa herë në Liban, pavarësisht një armëpushimi të arritur në nëntorin e vitit të kaluar.

Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se caqet përfshinin “qendrën më të madhe të prodhimit të raketave precize të Hezbollahut”, ndërsa ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur “infrastrukturë që përdorej për prodhimin dhe ruajtjen e armëve strategjike” në jug të Libanit dhe në Luginën Beka.

“Çdo përpjekje e organizatës terroriste për t’u rikuperuar, për t’u riorganizuar apo për të kërcënuar, do të përballet me intensitet të pamëshirshëm”, u zotua Katz.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban o ashtu raportoi për sulme në Beka, që gjendet në lindje, por edhe në jug. Si ministri Katz, ashtu edhe ushtria izraelite, akuzuan Hezbollahun se po përpiqet të rindërtojë infrastrukturën e tij ushtarake dhe kërkuan që ushtria libaneze të ndërhyjë për çarmatosjen e këtij grupi.

ME TE LEXUARAT