Irani synon të përfitojë nga kriza, kërkon deri në 2 mln dollarë për kalimin një anijeje në Ngushticën e Hormuzit

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po vazhdon të tronditë tregjet globale të energjisë, duke shkaktuar një nga goditjet më të mëdha të furnizimit me naftë në histori dhe duke rritur ndjeshëm çmimet.
Të mërkurën, çmimi i benzinës në Shtetet e Bashkuara kapërceu nivelin e 4.50 dollarëve për galon për herë të parë në katër vitet e fundit.
Ndërkohë, llogaria në Telegram e Liderit Suprem iranian, Mojtaba Khamenei, publikoi një mesazh ku paraqitet vizioni për një “rend të ri rajonal dhe global”, të bazuar në strategjinë e një Irani të fortë.
Në mesazh thuhet se nuk ka vend për “të huajt dhe keqbërjet e tyre” në Gjirin Persik, ndërsa theksohet përdorimi i ndikimit që sjell mbyllja e Ngushticës së Hormuzit për arritjen e këtij objektivi.
Në fund të prillit, një tjetër deklaratë që i atribuohej Khameneit paralajmëroi krijimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e trafikut detar në këtë rrugë strategjike.
Sipas deklaratës, Irani synon të zbatojë “korniza të reja ligjore dhe menaxhim të Ngushticës së Hormuzit”, duke e paraqitur këtë si një hap me përfitime ekonomike për vendin dhe rajonin.
Teherani ka bërë të ditur më herët se do të ndalojë kalimin e anijeve të lidhura me SHBA-në ose Izraelin, ndërsa anijet e tjera mund të kalojnë vetëm me miratim iranian.
India dhe Pakistani përmenden mes vendeve që kanë negociuar me Iranin për të garantuar kalimin e anijeve të tyre.
Sipas raportimeve, Irani po e sheh gjithashtu ngushticën si një burim të ri të ardhurash për rindërtimin e vendit pas dëmeve të shkaktuara nga sulmet amerikane dhe izraelite, duke kërkuar deri në 2 milionë dollarë për kalimin e një anijeje.


