Helmimi i 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë/ Ekspertja: Rreziqet kryesore, higjiena dhe ruajtja e ushqimit

Helmimi i 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë pas konsumimit të ushqimit ka rikthyer në vëmendje sigurinë ushqimore në institucionet që ofrojnë shërbime katering në masë.
Menjëherë pas drekës, studentët shfaqën shqetësime shëndetësore dhe u transportuan me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.
Ekspertja e sigurisë ushqimore, Esmeralda Ballesha, në një lidhje të drejtpërdrejtë për edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, deklaroi se kompani të tilla që prodhojnë dhe shpërndajnë ushqime me origjinë shtazore kanë risk të lartë dhe duhet të jenë nën kontroll të vazhdueshëm nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Sipas saj, problemet më të zakonshme lidhen me mungesën e higjienës, kros-kontaminimin mes produkteve të gatuara dhe atyre të pagatuara, si dhe mosruajtjen e temperaturave të duhura gjatë transportit të ushqimit.
Ballesha theksoi se operatorët që ofrojnë ushqim për spitale, burgje apo akademi janë të detyruar të zbatojnë protokolle të rrepta sigurie në çdo hallkë të procesit, nga lënda e parë deri te servirja.
Ajo shtoi se përgjegjësia ligjore në raste të tilla bie mbi kompaninë private që ofron shërbimin dhe në raste të rënda mund të ketë edhe pasoja penale.
INTERVISTA E PLOTË:
Çfarë nuk ka funksionuar në mekanizmin e kontrollit që ndodhi ky helmim masiv i studentëve?
Esmeralda Ballesha: Kompanitë që prodhojnë produkte me origjinë shtazore kanë një risk shumë të lartë dhe duhet të jenë në kontroll të vazhdueshëm nga AKU. Vëmë re që s’kemi pasur raste të tjera, i fundit ka qenë në një çerdhe në Gramsh. Por ky sot është një rast ku diçka ka arritur të kuptohet, ndryshe nga një rast i mëparshëm në Gramsh ku nuk u gjet shkaku. Institucionet që merren me prodhim ushqimi në masë duhet të kenë kontrolle shumë të larta në vazhdimësi.
A ka protokolle që ndiqen për shërbimet katering në spitale, burgje apo akademi?
Esmeralda Ballesha: Absolutisht. Të gjithë operatorët janë të detyruar të implementojnë masat, që mundësojnë kontrollin nga lënda e parë deri në momentin e fundit. Një dobësi është trajnimi i stafit, pasi harrohet shpesh për shkak të volumit të punës. Problemet mund të vijnë nga kros-kontaminimi, si p.sh. prekja e një produkti të gatuar me një të pagatuar, ruajtja e temperaturave gjatë transportit ose mungesa e higjienës së punonjësve. Këto biznese ushqejnë volum të lartë njerëzish dhe shpesh grupe vulnerabël, ndaj një problem i vogël mund të jetë fatal.
Kush mban përgjegjësi në të tilla raste?
Esmeralda Ballesha: Ligjërisht përgjegjësinë e mban kompania, e cila ka detyrim ligjor dhe penal nëse ka raste vdekjeje. Operatorët janë vetë të interesuar të mos kenë probleme për të mbajtur tregun, por ndoshta duhet një kontroll pak më i lartë nga institucionet shtetërore, megjithëse kapacitetet e inspektorëve janë të ulëta.