Tërmeti i fuqishëm në Campi Flegrei, shkon në 21 numri i të plagosurve. Dëme në ndërtesa dhe mijëra banorë në alarm

Makthi për banorët e Pozzuolit dhe zonës së Campi Flegrei nisi në orën 19:46 të mbrëmjes së 31 korrikut, kur një tërmet me magnitudë 4.7 ballë goditi zonën vullkanike pranë Napolit. Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), kjo ishte goditja më e fortë e regjistruar në më shumë se 40 vjet në zonën e Campi Flegreit, duke shkaktuar panik të madh, dëme materiale dhe një seri të gjatë lëkundjesh sizmike që vazhduan gjatë gjithë natës.
Pas tërmetit kryesor, toka nuk pushoi së lëkunduri. Deri në agimin e ditës së sotme më 1 gusht u regjistruan mbi 40 tërmete, ndërsa 11 prej tyre kishin magnitudë nga 2 deri në 3.1 ballë. Goditja më e fortë pasuese u regjistrua në orën 05:47, me magnitudë 3.1. Epiqendrat ishin në territorin e Pozzuolit, por dhe në zona të ndryshme të qytetit, çka bëri që banorët të ndjenin vazhdimisht lëkundje të forta. Shumica e tyre kaluan natën jashtë shtëpive, të frikësuar nga mundësia e goditjeve të tjera, duke u strehuar në makina, çadra ose në ambiente të hapura.
Bilanci i deritanishëm flet për 21 persona të plagosur, mes të cilëve dy ndodhen në gjendje të rëndë, por fatmirësisht nuk janë në rrezik për jetën. Shumica e të plagosurve kanë pësuar lëndime nga rrëzimet, copat e suvasë ose nga paniku gjatë largimit nga banesat.

Dëmet më të mëdha janë regjistruar në Pozzuoli. Ekipet e zjarrfikësve kanë evakuuar 22 familje, konkretisht 18 familje në Via Sannino dhe 4 në Via San Vitagliano, ku ndërtesat kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Gjatë gjithë ditës do të vazhdojnë kontrollet teknike të godinave nga zjarrfikësit dhe ekspertët e Bashkisë së Pozzuolit për të vlerësuar sigurinë e tyre.
Për të përballuar emergjencën, autoritetet kanë hapur qendra pritjeje për banorët që nuk mund të kthehen në banesat e tyre. Një qendër është ngritur në Via Terracina në Napoli, ndërsa një tjetër në Pozzuoli, ku qytetarëve u ofrohet strehim i përkohshëm dhe asistencë.
Ndërkohë, porti i Pozzuolit mbetet i mbyllur, pasi inspektimet kanë evidentuar dëmtime dhe rrezik pranë brigjeve shkëmbore. Autoriteti Portual do të nxjerrë një urdhër që ndalon hyrjen në zonat bregdetare nën shkëmbinjtë, deri në përfundimin e verifikimeve të sigurisë. Si pasojë, tragetet drejt ishujve Procida dhe Ischia janë pezulluar përkohësisht.
Probleme pati edhe në transportin hekurudhor. Menjëherë pas tërmetit u pezullua qarkullimi i trenave në nyjën hekurudhore të Napolit, përfshirë linjat e trenave me shpejtësi të lartë, Intercity dhe trenat rajonalë, në mënyrë që të kryheshin kontrolle teknike mbi infrastrukturën. Qarkullimi rifilloi normalisht rreth orës 01:30 pas mesnate, pasi u konfirmua se linjat ishin të sigurta.
Sipas Trenitalia-s, pezullimi solli vonesa të konsiderueshme. Disa trena regjistruan vonesa deri në 380 minuta, ndërsa shumë linja u devijuan në itinerare alternative. Trenat e shpejtësisë së lartë pësuan kufizime në itinerar, ndërsa trenat rajonalë u përballën me anulime dhe ndryshime të shumta në shërbim.
Edhe furnizimi me energji elektrike u ndërpre në disa zona të Napolit dhe Pozzuolit, pasi një shtyllë e tensionit të lartë në zonën e Agnanos u dëmtua pjesërisht nga lëkundjet. Në shumë lagje u raportuan ndërprerje të energjisë, ndërsa alarmet e automjeteve dhe banesave u aktivizuan nga forca e tërmetit.
Tërmeti u ndje qartë jo vetëm në Napoli dhe Pozzuoli, por edhe në komunat përreth si Bacoli, si dhe në ishujt Procida dhe Ischia, ku banorët dolën menjëherë në rrugë nga frika. Në Pozzuoli u raportua edhe rrëshqitja e një pjese të një shpati shkëmbor pranë Via Napoli, pa shkaktuar viktima.
Drejtoresha e Observatorit Vezuvian, sizmologia Lucia Pappalardo, deklaroi se megjithëse bëhet fjalë për goditjen më të fortë të viteve të fundit, ky nuk përfaqëson një fenomen të pazakontë. Sipas saj, aktiviteti lidhet me procesin e vazhdueshëm të çlirimit të gazrave në kalderën e Campi Flegrei dhe është pjesë e fenomenit të bradizmit që karakterizon zonën. Ajo theksoi se priten edhe lëkundje të tjera gjatë ditëve në vijim, megjithëse aktualisht nuk ka elemente që të justifikojnë ngritjen e nivelit të alarmit nga autoritetet.
Për shkak të situatës, qeveria italiane aktivizoi menjëherë Njësinë e Krizës. Kryeministrja Giorgia Meloni, ministri për Mbrojtjen Civile Nello Musumeci, Prefektura e Napolit dhe autoritetet lokale po monitorojnë vazhdimisht zhvillimet dhe po koordinojnë ndërhyrjet në terren. Në mëngjes u zhvillua një mbledhje e posaçme për të vlerësuar dëmet, për të organizuar ndihmën ndaj qytetarëve dhe për të planifikuar kontrollet në ndërtesat publike dhe private.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, të shmangin hyrjen në ndërtesat e dëmtuara dhe të ndjekin vetëm komunikimet zyrtare të Mbrojtjes Civile dhe institucioneve kompetente, pasi aktiviteti sizmik në zonën e Campi Flegrei mbetet ende i lartë dhe nuk përjashtohen lëkundje të tjera në orët dhe ditët në vijim.


