Sulmi i Iranit me raketa drejt bazës amerikane në Katar, reagon Macron: Palët të vetëpërmbahen...

Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar pas tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme, duke shprehur mbështetje të plotë për Katarin pas sulmeve iraniane që synonin bazat amerikane në këtë vend.
“U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtjen maksimale, të ulin tensionet dhe të kthehen në tryezën e negociatave. Kjo spirale kaosi duhet të marrë fund,” deklaroi Macron në një postim në rrjetet sociale.
Reagimi i presidentit francez vjen ndërsa përshkallëzimi i krizës në rajon ka rrezikuar ndërprerjen e dialogut diplomatik.
Vetëm pak ditë më parë, ishte planifikuar një raund bisedimesh bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit bisedime që nuk u mbajtën për shkak të sulmeve ajrore të Izraelit mbi objektiva iraniane.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ishte takuar me homologët e tij francezë, gjermanë dhe britanikë një ditë para se SHBA të ndërmerrnin bombardimin ndaj objekteve bërthamore në Iran, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e çdo zgjidhjeje diplomatike.


