Grabitje në muzeun e Mesinës në Siçili, vidhen 4 piktura të rralla të mjeshtrit të Rilindjes, Antonello da Messina

Bota

Grabitje në muzeun e Mesinës në Siçili, vidhen 4 piktura

Katër vepra të rëndësishme të piktorit italian të Rilindjes, Antonello da Messina, janë vjedhur nga Muzeu Rajonal i Mesinës, në Siçili. Mes veprave të grabitura janë tre pjesë të “Polittico di San Gregorio”, një prej krijimeve më të rëndësishme të artistit.

Vjedhja ndodhi të shtunën në mbrëmje në muzeun, i njohur si MuMe. Autorët arritën të anashkalonin sistemet e alarmit dhe të hapnin kutitë e posaçme të sigurisë ku ruheshin pikturat.

Tre prej veprave të vjedhura janë pjesë e “Polittico di San Gregorio”, një vepër që fillimisht përbëhej nga gjashtë panele druri të pikturuara. Sot kanë mbijetuar vetëm pesë prej tyre.

Poliptiku u realizua për Manastirin e San Gregorio në Mesinë, i cili u shkatërrua nga tërmeti katastrofik që goditi qytetin në vitin 1908.

Vepra ka një rëndësi të veçantë për Mesinën, pasi konsiderohej si e vetmja vepër e Antonello da Messina që kishte qëndruar vazhdimisht në qytetin e tij të lindjes.

Autorët morën gjithashtu nga një vitrinë e sigurisë një tjetër pikturë të vogël, të realizuar në të dyja anët. Në njërën anë paraqiten Virgjëresha me Fëmijën dhe një murg françeskan, ndërsa në anën tjetër është paraqitur Krishti.

Antonello da Messina konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të pikturës italiane të shekullit XV dhe një prej artistëve që kontribuan në zhvillimin e Rilindjes italiane.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e vjedhjes dhe identifikimin e autorëve, ndërsa po punohet për gjetjen dhe rikthimin e veprave të rralla.

ME TE LEXUARAT