Evropa Perëndimore në “flakë”, Belgjika dhe Britania thyejnë rekordet e të nxehtit!

Belgjika përjetoi sot ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i matjeve meteorologjike, ndërsa temperaturat pritet të rriten edhe më tej gjatë ditëve në vijim.
Një stacion meteorologjik në Bruksel regjistroi 34.6 gradë Celsius pasditen e sotme, duke thyer një rekord të të nxehtit që qëndronte prej 50 vitesh.
Sipas mediave belge, temperaturat do të vijojnë të rriten, ndërsa ventilatorët dhe kondicionerët po zhduken nga raftet e dyqaneve për shkak të kërkesës së lartë. Parashikimet tregojnë se në disa zona të vendit termometri mund të arrijë deri në 40 gradë Celsius.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Belgjikës ka shpallur alarm të kuq, nivelin më të lartë të paralajmërimit, për valën ekstreme të të nxehtit në dy provinca lindore të vendit për ditën e premte.
Edhe Mbretëria e Bashkuar ka thyer sërish rekordin e temperaturave për muajin qershor. Shërbimi meteorologjik britanik, Met Office, njoftoi se në Yeovilton, në jugperëndim të Anglisë, u regjistruan 36.4 gradë Celsius.
Që prej ditës së djeshme ishte thyer rekordi historik i viteve 1976 dhe 1957, kur temperatura arriti në 36.1 gradë Celsius në Gosport, në bregdetin jugor të Anglisë. Vendi, ashtu si një pjesë e madhe e Evropës, po përballet prej disa ditësh me një valë të fortë të nxehti.
Në të njëjtën kohë, Shërbimi i Ambulancës së Londrës raportoi një numër rekord ndërhyrjesh në raste emergjente kritike për shkak të temperaturave ekstreme që kanë goditur jugun e Anglisë.
Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e ambulancës iu përgjigjën 642 thirrjeve për raste urgjente me rrezik për jetën, përfshirë infarkte dhe probleme të rënda të frymëmarrjes. Gjithashtu, ndihmë e parë iu dha rreth 3,600 personave që shfaqën simptoma të lidhura me të nxehtin, vështirësi në frymëmarrje ose probleme kardiake.


