"Erdogani mos të na vërë në provë"/ Rriten tensionet mes Izraelit dhe Turqisë

Bota

"Erdogani mos të na vërë në provë"/ Rriten

Tensionet mes Turqisë dhe Izraelit duket se po përshkallëzohen për shkak të Sirisë.

Në një postim në X, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan po e “zvarrit Turqinë në aventura të rrezikshme në Siri” dhe se vendi i tij nuk do të “lejojë asnjë entitet të kërcënojë sigurinë e tij”.

“Do të ishte më mirë që Erdogani të vazhdonte të mbante fjalime boshe dhe plot fantazi kundër Izraelit në parlamentin turk dhe të mos vinte në provë vendosmërinë e Izraelit për të mbrojtur veten”, tha Katz.

Turqia hodhi poshtë kategorikisht ato që i quajti “akuza të pabaza” nga Izraeli në lidhje me praninë e saj ushtarake në Siri, pasi Izraeli bombardoi një bazë ajrore siriane pranë kufirit turk dhe tha se Siria ishte në prag të lejimit të trupave turke të vendoseshin atje.

Ministri i Jashtëm sirian, Assad al-Shaibani, gjithashtu iu përgjigj akuzave izraelite. Shaibani mohoi për Axios se kishte ndonjë plan për të vendosur forca turke në një bazë ajrore në Siri që Izraeli bombardoi këtë javë, duke shtuar se Damasku e kishte informuar Tel Avivin për këtë para sulmit.

“Nuk kishte asnjë prani ushtarake turke në bazë në asnjë kuptim që do të justifikonte një interpretim të tillë. Baza ishte, në fakt, kryesisht bosh. Ajo ende nuk ishte restauruar plotësisht ose nuk ishte vënë në funksion të plotë, dhe puna atje ishte ende në fazën e restaurimit.”, tha ai.

Ministri i Jashtëm sirian pranoi, megjithatë, se oficerët e ushtrisë turke vizituan bazën Abu Duhur disa ditë para bastisjeve, si pjesë e asaj që ai e përshkruan si “bashkëpunim të vazhdueshëm ushtarak në fushat e trajnimit dhe shkëmbimit të ekspertizës”.

ME TE LEXUARAT