EMRI/U arrestua në Qafë Thanë duke u arratisur, Gjykata lë në burg 35-vjeçarin për grabitjen e argjendarisë në Kamëz

Aktualitet

EMRI/U arrestua në Qafë Thanë duke u arratisur, Gjykata lë

Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Argys Kalsin, 35 vjeç, i dyshuar si një prej autorëve të grabitjes së një argjendarie në Paskuqan, ngjarje e regjistruar më 5 gusht.

Para gjykatës, ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.

“Maskat i kam qejf dhe i përdor për Halloween, pasi festoja i hidhja poshtë. Kjo mund të jetë një nga ato maskat”-mësohet të ketë deklaruar 35-vjeçari,ndërsa nuk ka bashkëpunuar me hetuesit për të treguar identitetin e personit tjetër që dyshohet se ka marrë pjesë në ngjarje.

35-vjeçari u arrestua dy ditë më parë nga Policia e Tiranës, teksa tentonte të largohej nga Shqipëria në drejtim të Maqedonisë së Veriut, përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës.

Operacioni për kapjen e tij u zhvillua rreth orës 02:00, pas disa ditësh përgjimi dhe vëzhgimi nga shërbimet policore, të cilat po punonin për identifikimin e autorëve të grabitjes.

Sipas hetimeve, Kalsi u identifikua pas gjetjes së gjurmëve papilare në disa sende të sekuestruara nga policia në fshatin Zagnur, në një zonë të pyllëzuar, disa ditë pas grabitjes.

Pas ndalimit në kufi, autoriteteve iu sigurua edhe një mostër ADN-je e 35-vjeçarit, e cila rezultoi se përputhej me gjurmët e gjetura më herët.

Grabitja ndodhi më 5 gusht, rreth orës 14:50, në Paskuqan. Dy persona hynë në ambientet e argjendarisë dhe kërcënuan punonjëset me armë zjarri, duke marrë një sasi bizhuterish dhe një shumë parash.

Për të fshehur identitetin, autorët përdorën maska silikoni dhe u larguan me një motomjet, i cili u gjet katër ditë pas ngjarjes në zonën e “Liqenit të Qinamit”.

Motomjeti, maskat e silikonit, një armë zjarri automatike, veshje dhe sende të tjera që dyshohet se u përkisnin autorëve janë sekuestruar dhe administruar si prova materiale nga Prokuroria e Tiranës, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e bashkëpunëtorit tjetër.

ME TE LEXUARAT