Emiratet e Bashkuara Arabe largohen nga OPEC, shmangin Hormuzin përmes ...

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dalë nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) pas gati gjashtë dekadash bashkëpunimi, një lëvizje që po shihet si ndryshim i rëndësishëm në ekuilibrat e tregut të energjisë në Lindjen e Mesme, raporton La Repubblica.
Sipas raportimit, vendimi i Abu Dhabit i jep vendit më shumë liri për të rritur prodhimin e naftës bruto, pa kufizimet e kuotave të vendosura nga OPEC, të cilat shpesh janë dominuar nga Arabia Saudite. Kapaciteti prodhues i Emirateve vlerësohet rreth 4.8 milionë fuçi në ditë.
Vëmendja është përqendruar edhe te infrastruktura strategjike Habshan–Fujairah, një tubacion që lejon eksportin e naftës pa kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, zonë me tensione të larta gjeopolitike.
Ky tubacion, me kapacitet deri në 1.8 milion fuçi në ditë, përfundon në terminalin e Fujairah në Oqeanin Indian dhe shihet si një element kyç për sigurinë energjetike të vendit.
Autoritetet e Emirateve e kanë cilësuar vendimin si një hap strategjik afatgjatë në funksion të interesit kombëtar, duke theksuar se synojnë rritje të prodhimit në mënyrë graduale dhe fleksibile sipas kërkesës globale.
Analistët vlerësojnë se kjo lëvizje mund të ndikojë në balancat brenda OPEC dhe në tregun global të naftës, ndërsa Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit mbeten më të varura nga rrugët tradicionale të eksportit.


