Emigracioni i paligjshëm drejt BE-së bie ndjeshëm, Frontex: Tre herë më pak se në 2023

Bota

Emigracioni i paligjshëm drejt BE-së bie ndjeshëm, Frontex: Tre

Emigracioni i paligjshëm drejt Bashkimit Europian ka shënuar rënie të fortë në muajt e parë të vitit, sipas raportit më të fundit të Agjencisë Europiane për Kufijtë, Frontex.

Të dhënat tregojnë se nga janari deri në fund të prillit janë regjistruar rreth 29 mijë hyrje të parregullta në BE, një ulje prej 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Frontex, kjo përbën nivelin më të ulët të viteve të fundit, ndërsa në vitin 2023 numri i emigrantëve që hynin ilegalisht në BE ishte rreth tre herë më i lartë.

Rruga më e përdorur mbetet ajo e Mesdheut Qendror, me nisje kryesisht nga Libia drejt Italisë, ndërsa pas saj vjen korridori i Mesdheut Lindor përmes Turqisë drejt Greqisë dhe Qipros.

Agjencia europiane thekson se ulja e fluksit lidhet me bashkëpunimin me vendet partnere në Afrikën e Veriut, të cilat po intensifikojnë kontrollet për të ndaluar largimet dhe rrjetet e trafikantëve.

Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin ka bërë të ditur se mbi 1.200 persona kanë humbur jetën në Mesdhe që nga fillimi i vitit, pavarësisht rënies së numrit të emigrantëve.

ME TE LEXUARAT