“Elsa” shumë pranë Floridës, meteorologët: Mund të sjellë stuhi me përmbytje dhe tornado

Stuhia “Elsa” është nisur në Florida, ndërsa qeveria ka nisur përgatitjet. Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC) tha një ditë më parë se “Elsa” pritet të lëvizë pranë ose mbi pjesët e bregut perëndimor të Floridas gjatë natës së sotme, përpara se të zbresë të mërkurën në mëngjes.
NHC-ja njoftoi se një paralajmërim për rrezik uragani ishte në fuqi që të martën përgjatë një shtrirje prej 290 kilometrash të Bregut të Gjirit nga ishulli Egmont Key në rajonin e Gjirit Tampa deri në lumin Steinhatchee. Ndërkohë që “Elsa” do të forcohej ngadalë deri të martën në mbrëmje dhe do të merrte pothuajse forcën e një uragani përpara se të zbresë në Florida, pas së cilës pritet të dobësohet ndërsa lëviz më në brendësi. Të martën priteshin reshje të rënduara në qytetin bregdetar të Surfside, ku u shemb pallati më 24 qershor.
NHC gjithashtu paralajmëroi se “Elsa” mund të sjellë stuhi me rrezik për jetën, përmbytje dhe tornado të izoluara. “Kombinimi i një stuhie dhe batice do të bëjë që zonat normalisht të thata pranë bregdetit të përmbyten nga ngritja e ujërave që zhvendosen në brendësi nga vija bregdetare”, tha NHC-ja.


