Efektivët e infiltruar iu futën në “gji” dy vëllezërve biznesmenë, si arritën që të çmontonin “biznesin” 3 milionë euro

Bota

Efektivët e infiltruar iu futën në “gji” dy

Një dhomë e tërë në Komisariatin e Policisë Helenike është mbushur me sendet e konfiskuara nga operacioni i një dite më parë në Kretë për shpërbërjen e një prej mafieve më të fuqishme në zonë. Siç shihet edhe në foton e mëposhtme, të postuar nga mediat vendase, policia arriti që të sekuestronte shumë armë, kryesisht pushkë gjuetie dhe luftarake, pistoleta, municione, pjesë, këllëfe armësh, kuti me fishekë të kalibrave të ndryshëm, kartëmonedha euro, telefona celularë si dhe pako të mbushura me drogë.

Deri më tani në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 49 persona të cilët dyshohen se janë të përfshirë në trafik droge, zhvatje parash, si dhe në një sulm kundër një oficeri policie.

Sipas vlerësimeve të bëra deri më tani mësohet se xhiroja e organizatës ishte afër 3 milionë euro. Në fashikujt e dosjes thuhet se të ardhurat e tyre vinin nga trafikimi i drogës, i cili vlerësohet në afërsisht 1.1 milionë euro, ndërkohë të tjerat rreth 1.5 milionë euro nga pjesë të tjera të aktivitetit të tyre. Secili anëtar mori pjesën e tij, por, si në të gjitha rastet, edhe këtu pjesa më e madhe e parave përfundoi tek dy vëllezërit biznesmenë që konsiderohen si krerët e mafias në Kretë. Sipas zëdhënëses së shtypit të Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou, hetimi filloi me një rast trafikimi droge. Megjithatë, autoritetet arritën të zbulonin një rrjet me shumë tentakula që trafikonte madje edhe armë kallashnikovi.

“Shpresat” e policëve për të zbërthyer plotësisht skemën se si ky grup funksiononte janë varur te dy efektivët të cilët me urdhër të prokurorit, arritën që të futeshin mes organizatës si punonjës restoranti.

Brenda pak javësh, ata arritën që të fitonin besimin e anëtarëve dhe të merrnin informacione thelbësore, përdorimi i të cilave çoi në strukturën kriminale.

Figurat kryesore të organizatës dyshohet se janë dy vëllezër, të cilët janë biznesmenë nga Hania, të njohur në komunitetin vendas. Të dy ishin vënë nën mikroskopin e autoriteteve për raste të mëparshme zhvatjeje. Shumë nga të arrestuarit kishin shqetësuar më parë policinë, me çështje penale të hapura apo edhe dënime me burg. Vëllezërit, të cilët janë të njohur si në komunitetin vendas ashtu edhe në të gjithë Kretën, siç theksojnë oficerët e Policisë Helenike , kishin arritur, falë tolerancës, të autoriteteve lokale të policisë në vitet e fundit, të zhvilloheshin në biznesmenë të fuqishëm, veçanërisht në sektorin e turizmit. Burime të besueshme  theksojnë se ata kanë një njësi hoteli luksoze jashtë Hanias, ndërsa vetë kanë udhëtuar me makina luksoze dhe kanë qëndruar në vila të shtrenjta.

Oficerët e policisë që morën pjesë në operacion theksojnë se të arrestuarit nuk prisnin të prangoseshin, pasi besonin se kishin kontroll të plotë mbi Policinë Greke në ishull. Sigurisht, të gjitha akuzat që do të ngrihen kundër tyre mbeten për t'u provuar në sallat e gjyqit, kur çështja të arrijë në seancën dëgjimore .

ME TE LEXUARAT