E FRIKSHME/ Vetëm 24 orë pas tërmetit shkatërrimtar, shpërthen vullkani në Kolumbi

Një fenomen i rrallë natyror ka alarmuar banorët dhe autoritetet në zonën rurale të San Pedro de Urabá, Kolumbi, ku një vullkan balte shpërtheu papritur në fshatin Molinillo. Shpërthimi ndodhi vetëm 24 orë pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin, duke ngritur dyshime te ekspertët se lëkundjet mund të kenë ndikuar në destabilizimin e strukturave nëntokësore.
Nga vullkani shpërtheu një masë e dendur dhe e nxehtë balte, e cila u përhap me shpejtësi përgjatë shpateve, duke përfshirë bimësinë dhe përmbytur zonat përreth. Ekipet e emergjencave dhe komuniteti lokal u mobilizuan menjëherë. Gjeologët po analizojnë mundësinë që tërmeti të ketë krijuar çarje në shtresat nëntokësore, duke favorizuar çlirimin e gazrave dhe materialeve të grumbulluara nën presion.
Rajoni i Urabás është veçanërisht i njohur për vullkanet e baltës. Nga 62 formacione të tilla të regjistruara në Kolumbi, 19 ndodhen në Urabá. Ndryshe nga vullkanet tradicionale, këto struktura nuk nxjerrin lavë apo hi, por kryesisht baltë, ujë dhe gazra. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të mos afrohen në zonën e shpërthimit dhe të raportojnë çdo ndryshim në terren. Hyrja në zonat e prekura mbetet e ndaluar deri në përfundimin e inspektimeve nga specialistët, për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës.


