Zjarret në Lezhë, vatra në Vilëz mbahet nën monitorim, vijon ndërhyrja në Mirditë

Aktualitet

Zjarret në Lezhë, vatra në Vilëz mbahet nën monitorim,

Situata në Qarkun e Lezhës paraqitet e qetë mëngjesin e 13 gushtit, pavarësisht temperaturave të larta dhe zjarreve në disa zona.

Në Bashkinë Kurbin, vatra e zjarrit në fshatin Vilëz vijon të mbahet nën mbikëqyrje. Në zonë ka vetëm shenja tymi, ndërsa forcat bashkiake dhe MZSH do të ndërhyjnë për kontrollin e territorit.

Në Bashkinë Lezhë nuk raportohen probleme të reja. Gjatë natës është shënuar një tjetër zjarr në fshatin Tresh, në njësinë administrative Zejmen, ndërsa po përgatitet informacioni përmbledhës.

Në Mirditë nuk raportohen probleme të reja. Vatra e zjarrit në lagjen Valcë, në fshatin Tenë, njësia administrative Rrëshen, është vënë nën kontroll, ndërsa vijon puna për shuarjen e plotë me dy mjete zjarrfikëse, një të Bashkisë Mirditë dhe një të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, në fshatrat Trojëz dhe Perlat i Epërm ka nisur puna për izolimin e vatrës së zjarrit. Në operacion janë angazhuar forcat bashkiake, MZSH, njësia administrative dhe vullnetarë, të mbështetur edhe nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Operacioni në Mirditë po ndiqet nga kryetari i bashkisë.

Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike vijon normalisht, ndërsa akset rrugore kombëtare dhe rurale janë të kalueshme. Probleme paraqiten vetëm për shkak të trafikut të rënduar në qytetin e Lezhës dhe në aksin nacional Laç–Lezhë–Shkodër, veçanërisht gjatë ditës.

Ndërkohë, nivelet e lumenjve Drin dhe Mat vijojnë të jenë minimale.

ME TE LEXUARAT