Tragjedia e familjes nga Lushnja në SHBA/ Zjarri i merr jetën 3 fëmijëve, katër të tjerë luftojnë për jetën

Bota

Tragjedia e familjes nga Lushnja në SHBA/ Zjarri i merr jetën 3

SHBA - Familja e prekur, e njohur si familja Manati është me origjinë nga Lushnja. Një kushëri i tyre, Alessia Firi, ka nisur një fushatë GoFundMe që deri më tani ka mbledhur mbi 89,000 dollarë për mbulimin e kostove mjekësore dhe të funeralit

Ngjarja e rëndë tronditi komunitetin shqiptar në Jacksonville, ku tre fëmijë humbën jetën në një zjarr shkatërrues në banesën e tyre të mërkurën në mëngjes.

Dy të rritur (prinderit) dhe dy fëmijë të tjerë nga e njëjta familje ndodhen në spital me lëndime kritike. Zjarrfikësit e Jacksonville, raportuan se alarmi u dha në orën 5:13 të mëngjesit në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road.

Ekipet mbërritën vetëm katër minuta më vonë dhe gjetën flakë të mëdha në katin e parë dhe tym të dendur në katin e dytë.

Shefi i zjarrfikësve, Percy Golden, tha se dy të rritur kishin arritur të dilnin nga shtëpia së bashku me dy fëmijë përpara mbërritjes së ekipeve.

Një fqinj tregoi se një foshnjë dhe një i rritur u hodhën nga dritarja e katit të dytë dhe u kapën nga kalimtarët.

Zjarrfikësit kontrolluan banesën dhe gjetën tre fëmijë pa shenja jete. Flakët u vunë nën kontroll në orën 5:38 të mëngjesit. Viktimat dhe të mbijetuarit u transportuan menjëherë në spital nga JFRD. Ndërkohë, Kryqi i Kuq po ndihmon shtatë të rritur dhe gjashtë fëmijë që u zhvendosën për shkak të zjarrit.

“Familja dhe komuniteti i tyre janë plotësisht të pikëlluar ndërsa përballen me dhimbjen e padurueshme të kësaj humbjeje, ndërkohë që mbajnë shpresën për shërim dhe rimëkëmbje,” shkroi Firi në faqen e fushatës.

Ajo shtoi se shpresa është të lehtësohet qoftë edhe një pjesë e vogël e barrës financiare, në mënyrë që familja të përqendrohet tek shërimi dhe qëndrimi së bashku.

Hetimet për shkaqet e zjarrit po kryhen nga Zyra e Marshallit të Zjarrfikësve të Shtetit dhe Njësia e Vrasjeve e Zyrës së Sherifit të Jacksonville (JSO).

ME TE LEXUARAT