Bota kërcënohet nga terrorizmi/ Kreu i Inteligjencës britanike: Mund të goditemi si 11 shtatori

Bota mund të përballet me një 11 Shtator tjetër dhe Shërbimet Britanike të Inteligjencës por edhe ato botërore nuk duhet të përqëndroehn vetëm tek kërcënimet e të kaluarës , por duhet të jenë të përgatitura për një goditje të re strategjike, të ngjashme me sulmet e 11 Shtatorit 2001. Paralajmërimin vjen nga drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum, në një opinion të publikuar të premten, në kuadër të 25-vjetorit të sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara.
McCallum theksoi se mësimi më i rëndësishëm nga 11 Shtatori është se goditja e ardhshme strategjike, pikërisht për shkak të natyrës së saj, nuk do të ngjajë domosdoshmërisht me atë të mëparshmen. Sipas tij, shërbimet e sigurisë duhet të mësojnë nga sulmet e së kaluarës, por njëkohësisht duhet të shmangin rrezikun e përgatitjes së përsosur për të luftuar një armik, duke përdorur metodat dhe objektivat e së kaluarës. “E vërteta e pakëndshme është se goditja e ardhshme strategjike mund të jetë tashmë duke marrë formë diku ku ne ende nuk po shikojmë”, shkroi kreu i MI5.
McCallum paralajmëroi se, megjithëse Al-Kaeda është dobësuar ndjeshëm, grupi mbetet një kërcënim, ashtu si edhe synimi i tij dhe i organizatave të tjera militante për të kryer sulme me një numër të madh viktimash. Ai iu referua edhe një komploti islamist të parandaluar së fundmi në Britaninë e Madhe, i cili kishte si objektiv kryerjen e sulmeve me armë ndaj komunitetit hebre në qytetin e Mançesterit.
Por, sipas drejtuesit të MI5, kërcënimet ndaj Britanisë nuk kufizohen vetëm te terrorizmi. Ai vuri në dukje rritjen e agresionit të mbështetur nga shtete të huaja, nga aktet e sabotimit të kryera përmes personave të rekrutuar nga rrjetet kriminale, deri te sulmet kibernetike kundër infrastrukturës kritike, përfshirë centralet elektrike. “Ne nuk mund të presim goditjen e radhës për të zbuluar se kush e zotëron dobësinë, kush ka autoritetin për të vepruar apo kush duhej të merrte telefonin”, paralajmëroi McCallum.
Në mesazhin e tij, kreu i MI5 tha se viktimave të 11 Shtatorit dhe atyre që mund të bëhen viktima të një sulmi të ardhshëm nuk u detyrohet vetëm kujtesa, por edhe përgatitja, qëndrueshmëria dhe aftësia për t’u përshtatur përpara se të ndodhë goditja e radhës.


