Alarm në Greqi/ Gjendet dron detar ushtarak, autoritetet nisin hetimet: U zbulua brenda një shpelle me motorin ndezur

Një mjet detar pa pilot është zbuluar në rrethana misterioze në ujërat pranë ishullit Lefkada në Greqi, duke ngritur pikëpyetje mbi origjinën dhe misionin e tij.
Sipas mediave greke, peshkatarë nga zona e Vasilikit e kanë konstatuar mjetin të enjten pranë Kepit Doukato (Kavo tis Kyra), ku ai ndodhej brenda një shpelle me motorin ende të ndezur.
Mjeti, i identifikuar si një USV (anije sipërfaqësore pa pilot), ishte i pajisur me sensorë të avancuar, antena dhe sisteme komunikimi të teknologjisë së lartë.
Ende nuk dihet se si ka përfunduar në atë zonë dhe nëse ishte pjesë e një stërvitjeje në ujërat ndërkombëtare apo përdorej për një mision tjetër.
Peshkatarët e lidhën mjetin dhe e tërhoqën drejt portit të Vasilikit, ndërsa më pas ndërhyri Roja Bregdetare greke, e cila e mori në kontroll.
Për ngjarjen janë njoftuar edhe shërbimet sekrete ushtarake greke, ndërsa mjeti po i nënshtrohet verifikimeve për të zbuluar origjinën dhe përdorimin e tij.


