A është Britania e Madhe një vend që nuk qeveriset dot? The Guardian: Arsyet pse Londra po i humbet kryeministrat

Britania e Madhe po hyn në një territor të panjohur për historinë e saj moderne. Kryeministrat vijnë dhe ikin me një ritëm që deri pak vite më parë do të dukej i paimagjinueshëm, ndërsa pyetja që po shtrohet gjithnjë e më shpesh është nëse problemi qëndron te liderët apo te vetë posti që ata mbajnë.
Në një analizë të publikuar nga Guardian, autori Tom Clark argumenton se vendi po përjeton një periudhë destabiliteti politik që nuk ka precedent në historinë moderne britanike. David Cameron, Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss, Rishi Sunak dhe Keir Starmer janë vetëm emrat e një liste që është zgjatur vazhdimisht që prej referendumit për Brexit në vitin 2016.
Për të kuptuar situatën aktuale, Clark kthehet pas në kohë dhe bën një krahasim me Republikën e Katërt Franceze, periudhën mes viteve 1946 dhe 1958, kur qeveritë ndryshonin vazhdimisht, reformat mbeteshin pezull dhe politika dominohej nga përplasjet e brendshme. Sipas autorit, shumë prej simptomave të asaj kohe duken sot edhe në Britani.
Historiani Anthony Seldon, autor i librit “The Impossible Office?”, thotë se nuk ka pasur kurrë një periudhë të ngjashme. Edhe pse në shekujt e kaluar ka pasur momente me ndryshime të shpeshta në krye të qeverisë, situata aktuale konsiderohet unike për shkak të rotacionit të vazhdueshëm jo vetëm të kryeministrave, por edhe të figurave të tjera kyçe të kabinetit.
Në vetëm pak vite, Britania ka ndërruar tetë ministra të Financave dhe nëntë ministra të Jashtëm. Për gazetën Guardian, kjo nuk është thjesht statistikë. Çdo kryeministër i ri sjell me vete një ekip të ri, ministra të rinj dhe këshilltarë të rinj, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm rifillimi që e bën të vështirë ndjekjen e politikave afatgjata.
Ish-sekretari i kabinetit, Gus O’Donnell, kujton se një nga kërkesat që kishte ndaj David Cameron para se ky të merrte pushtetin ishte që ministrat të qëndronin sa më gjatë në detyrë. Sipas tij, vetëm kështu ata mund të kuptojnë realisht fushat që drejtojnë dhe të çojnë përpara reforma serioze.
Shembulli që jep është sistemi i pensioneve. Në një moment, Britania pati nëntë ministra të pensioneve brenda pesë viteve. Një sektor që kërkon planifikim për dekada u drejtua nga njerëz që shpesh largoheshin para se të njihnin plotësisht dosjet që kishin në tavolinë.
Analiza ndalet edhe te pasojat që sjell vetë kërcënimi për largimin e një kryeministri. Sipas Damian Green, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Theresa May, pas zgjedhjeve të vitit 2017 qeveria u përqendrua pothuajse tërësisht te mbijetesa politike. Prioritetet e tjera kaluan në plan të dytë, ndërsa e gjithë energjia u përthith nga përpjekjet për të siguruar një marrëveshje për Brexit.
Një situatë e ngjashme ishte parë edhe gjatë qeverisjes së John Major. Ish-zyrtarja Jill Rutter kujton një klimë të mbushur me pasiguri, ku zyrtarët ndiheshin vazhdimisht nën presion dhe ku objektivi kryesor ishte menaxhimi i krizës së radhës. Në kushte të tilla, thotë ajo, bëhet shumë më e vështirë të hartosh politika të qëndrueshme dhe të mendosh për afatgjatën.
Sipas Guardian, paradoksi i politikës britanike sot është se kërkesa për ndryshim po bëhet gjithnjë e më e madhe, ndërsa koha që u jepet liderëve për ta realizuar atë po bëhet gjithnjë e më e shkurtër. Reformat kërkojnë vite, konsultime, ligje dhe financime. Por kryeministrat përballen me një presion të vazhdueshëm për të prodhuar rezultate të menjëhershme.
Për këtë arsye, Tom Clark arrin në përfundimin se kriza aktuale nuk mund të shpjegohet vetëm me dështimet individuale të liderëve. Pyetja që po shtrohet sot në Britani është nëse sistemi politik po e bën gjithnjë e më të vështirë qeverisjen dhe nëse vetë posti i kryeministrit është kthyer në një detyrë pothuajse të pamundur./TheGuardian


