80 vjet nga bombardimi atomik në Japoni! I mbijetuari: Babai im u verbua nga shpërthimi, lëkura e tij varej nga trupi

Bota

80 vjet nga bombardimi atomik në Japoni! I mbijetuari: Babai im u verbua

Me një lutje të heshtur dhe një mesazh të fuqishëm për paqen, Japonia përkujtoi sot 80-vjetorin e bombardimit atomik në Hiroshima, një nga ngjarjet më të errëta në historinë moderne të njerëzimit, që mori jetën e mbi 200.000 njerëzve.

Ceremonia u mbajt në Parkun Memorial të Paqes në Hiroshima, ku morën pjesë Kryeministri Shigeru Ishiba, autoritete ndërkombëtare dhe të mbijetuar të shpërthimit. Kryebashkiaku i Hiroshimës, Kazumi Matsui, përcolli mesazhin se Japonia, si i vetmi vend i goditur me armë bërthamore në luftë, përfaqëson një popull që aspiron paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.

Shpërthimi i bombës më 6 gusht 1945, i ndjekur disa ditë më pas nga ai në Nagasaki, përshpejtoi fundin e Luftës së Dytë Botërore me kapitullimin e Japonisë, por la pas një trashëgimi të dhimbshme me viktima të menjëhershme dhe të tjerë që vdiqën më vonë nga djegiet dhe rrezatimi.

Shingo Naito, një i mbijetuar që ishte vetëm 6 vjeç në momentin e shpërthimit, rrëfeu për BBC-në dhimbjen që përjetoi:
“Babai im u verbua nga shpërthimi. Lëkura i varej nga trupi. Nuk mundi as të më mbante dorën.”
Ai humbi të atin, motrën dhe vëllanë. Sot, ai ndan kujtimet e tij me studentë që po i kthejnë në vepra arti për të mos harruar kurrë.

Satoshi Tanaka, një tjetër i mbijetuar që vuan nga pasojat e rrezatimit, e lidh përvojën e tij me luftërat e sotme:
“Gjakderdhja në Gaza dhe Ukrainë më kujton Hiroshimën. Ne jetojmë në një botë ku armët bërthamore mund të zhdukin njerëzimin shumë herë.”

Kryebashkiaku Matsui paralajmëroi për një trend të rrezikshëm të rritjes së armatimeve, që po shpërfill mësimet e tragjedive historike. Ai tha se Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore është në prag të dështimit dhe i kërkoi qeverisë japoneze të ratifikojë Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2021 dhe është ratifikuar nga më shumë se 70 vende.

Megjithatë, Japonia, ashtu si SHBA-ja dhe Rusia, nuk e ka pranuar këtë traktat, duke argumentuar se siguria kombëtare varet nga mbrojtja bërthamore amerikane.

Në rrugët përreth memorialit pati edhe protesta simbolike, me qytetarë që kërkonin çarmatimin e plotë bërthamor.

80 vite pas tragjedisë, Hiroshima mbetet një simbol global i rrezikut që sjell fuqia bërthamore, por edhe i qëndresës dhe kërkesës për paqe.

ME TE LEXUARAT