U arrestua pas muajsh në arrati/ Ergys Agasi del të premten para GJKKO-së për njohjen me masën e sigurisë

Aktualitet

U arrestua pas muajsh në arrati/ Ergys Agasi del të premten para

Biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar mbrëmjen e së mërkurës, 26 gusht, në zonën e Plepave në Durrës, do të njohet nesër në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me masën e sigurisë ndaj tij.

 Në mefia bëhet me dije se seanca është caktuar në orën 09:30, ku Agasi pritet të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”, caktuar më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Agasi u arrestua pas një operacioni të SPAK-ut, pas disa muajsh qëndrimi në kërkim dhe rreth dy javësh vëzhgim nga autoritetet.

Biznesmeni dyshohet për disa vepra penale, mes tyre “grup kriminal”, “pastrim parash”, “shkelje e barazisë në tendera”, “konkurrencë e paligjshme” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”.

Në të njëjtin operacion u arrestua edhe ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku. Agasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK rreth tetë muaj më parë, nën dyshimet se drejtonte një grup kriminal të krijuar brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku dyshohet se tenderat me vlerë miliona euro paracaktoheshin dhe përfundonin në llogaritë e kompanive të biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar në Francë.

Sipas të dhënave të bëra publike, automjeti me të cilin udhëtonte Agasi së bashku me Shpatarakun u pikas fillimisht në qytetin e Elbasanit. Pas koordinimit me prokurorët e posaçëm, policia bllokoi akset kryesore dhe ndoqi automjetin.

Në momentin që makina, e drejtuar nga Shpataraku, mbërriti në zonën e Plepave në Durrës, ajo u rrethua nga Forcat e Posaçme Operacionale. Pas arrestimit, automjeti u kontrollua me imtësi dhe sipas burimeve, Agasi dhe Shpataraku kishin me vete një shumë prej rreth 4 mijë eurosh.

Detaje të tjera të operacionit vijojnë të mbahen sekret, ndërsa hetimet e SPAK-ut kanë përfshirë më herët edhe sekuestrimin e një automjeti “Land Rover Defender”, i cili u gjet në garazhin e një vile në “Equos Resort”.

Akuzat ndaj Agasit

Sipas Prokurorisë së Posaçme ndaj Ergys Agasit rendojne 7 akuza, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”  dhe  “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi djeshëm (26gusht ) i SPAK për arrestimin e Agasit

Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025,  për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.

Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.

LEXO EDHE: VIDEO- I rrethuar nga efektivë të shumtë, momenti kur Ergys Agasi del nga Policia pasi u mor në pyetje nga agjentët e BKH, u shoqërua drejt bllokut të sigurisë

 

ME TE LEXUARAT