Zvarriten lejet për pritat lumore/ Erozioni i Vjosës, gërryen tokat bujqësore në Kashisht të Fierit

Erozioni i lumit Vjosë në Kashisht të Fierit është intensifikuar ndjeshëm vitet e fundit, duke përpirë sipërfaqe të konsiderueshme tokash dhe duke rrezikuar banesat përgjatë shtrirjes së lumit.
Banorët shprehen të alarmuar, veçanërisht pas reshjeve të dendura, ndërsa theksojnë se punimet jo cilësore të paneleve mbrojtëse kanë rënduar situatën. Sipas tyre, të vetmet struktura që i rezistojnë gërryerjes janë panelet e ndërtuara rreth viteve 1970.
Fermeri Arshi Idrizaj tregon se gjatë dy viteve të fundit, lumi i ka marrë dy dynymë e gjysmë tokë dhe rreth 60 rrënjë ullinj. Ai apelon për ndërhyrje urgjente dhe ndërtimin e paneleve të reja mbrojtëse për të shpëtuar tokat dhe investimet e banorëve.
Sipas informacionit të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Fier, leja për ndërtimin e paneleve mbrojtëse ende nuk po miratohet. Arsyeja kryesore është se zona e lumit Vjosë është shpallur Park Kombëtar, dhe ndërhyrjet kërkojnë miratimin e disa institucioneve përgjegjëse:
• Agjencia e Zhvillimit të Territorit,
• Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura,
• Agjencia e Mbrojtjes së Burimeve Ujore.
Më pas, vendimi përfundimtar kalon për miratim në Këshillin e Basenit Ujor, i cili pritet të mblidhet së shpejti dhe do të vendosë nëse do t’i hapë rrugë investimit të domosdoshëm për Kashishtin.
Ndërkohë, banorët kërkojnë një zgjidhje të shpejtë, pasi dëmet nga erozioni po shtohen çdo vit, duke rrezikuar jo vetëm tokat bujqësore, por edhe ekonominë dhe jetesën e tyre.


