Zjarri në hotelin në Vlorë, kryebashkiakja Mersini: Do vendosim zjarrfikëse të vogla në pika të ndryshme të qytetit

Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka reaguar për zjarrin e përmasave të mëdha që përfshiu restorantin dhe më pas hotel ‘Brooklyn’ në Lungomare të Vlorës, ku u plagosën 6 persona.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mersini njoftoi se pas ngjarjes, sëbashku me drejtuesin e operatorëve turistikë, Vasil Bedinin u mblodhën për të diskutuar se çfarë duhet bërë më mirë dhe më shpejtë në situata të tilla.
Mersini paralajmëroi gjithashtu krijimin e disa ministracioneve të vogla për forcat zjarrfikëse, duke lënë mjete të vogla zjarrfikëse në të gjithë qytetin.
“Do lëmë zjarrfikëse të vogla në disa pika të qytetit. Mund të lëmë një ministacion përshembull në qendër të lungomares”, tha mes të tjerash Mersini gjatë mbledhjes.
Në përfundim Mersini theksoi se është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe qendrat spitalore ku secili prej të plagosurve nga zjarri në hotel Brooklyn po merr kujdesin mjekësor.
Reagimi i Mersinit:
Pas situatës së vështirë të krijuar nga zjarri në Vlorë, shqetësimi ynë i parë mbetet shëndeti dhe siguria e çdo qytetari e pushuesi të prekur.
Sot, me ekipin e Bashkisë, së bashku me drejtuesin e operatorëve turistikë, Vasil Bedinin dhe Anisën, si përfaqësuese e biznesit, u mblodhëm për të diskutuar me përgjegjësi çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe më shpejt në përballimin e situatave të tilla.
Së pari si mjeke, si nënë e pastaj me të gjitha përgjegjësitë e kryetarit të bashkisë, jam në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe qendrat spitalore ku secili prej tyre po merr kujdesin mjekësor.
Uroj me gjithë zemër që çdonjëri prej të prekurve të ketë shëndet të plotë dhe që situata të tilla të mos përsëriten, por kur përballemi me to, duhet të jemi pranë njerëzve dhe të reagojmë menjëherë, të gjithë bashkë.


